E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Telefonia celulare, më e shtrenjta në kontinent

“Një nga synimet themelore të projektit, është rregullimi i tregut të deformuar që ne kemi. Telefonia celulare në Shqipëri është më e shtrenjta në kontinent dhe është pa diskutim, më e shtrenjta në vendet e rajonit dhe kjo është një situatë absolutisht e papranueshme”.
Tregu i komunikimeve elektronike do të operojë në bazë të një ligji të ri, që parashikon rregulla të reja për operatorët që do të kryejnë aktivitet në të. Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme detajet e këtij projekti, duke siguruar se ato do të sjellin rregulla dhe çmime të reja, në këtë treg të rëndësishëm. “Në tërësinë e tyre, parashikimet në projektligj synojnë parandalimin e mundësisë së abuzimit nga këta sipërmarrës me pozicionin e tyre në treg, në dëm të lojtarëve në treg, hyrësve të rinj, si edhe përdoruesve apo konsumatorëve”,- tha Olldashi. Sipas Olldashit, në Shqipëri çmimet e shërbimeve të telefonisë celulare janë më të lartat në botë dhe qeveria, me anë të ligjit të ri, do të synojë që të zgjidhë këtë padrejtësi që i është bërë konsumatorëve. “Një nga synimet themelore të projektit, është rregullimi i tregut të deformuar që ne kemi. Telefonia celulare në Shqipëri është më e shtrenjta në kontinent dhe është pa diskutim, më e shtrenjta në vendet e rajonit dhe kjo është një situatë absolutisht e papranueshme. Ne kemi nisur projektin në Këshillin e Ministrave për aprovim dhe besoj se në mbledhjen e parë të qeverisë, ai do të kalojë drejt Kuvendit. Projekti sjell disa elementë të tjerë të rinj, që plotësojnë, rregullojnë dhe sistemojnë tregun e komunikimeve elektronike”,- ka bërë të ditur Olldashi.
Licencat e reja
Kreu i Telekomunikacioneve ka sqaruar se me anë të këtij projekti nuk synohet që vetëm me anë të rregullave të orientohen çmimet e shërbimeve drejt kostos, por një nga masat e tjera pozitive që paraqet projektligji, është shtimi i konkurrencës nëpërmjet futjes së operatorëve të rinj në treg. “Ky projektligj bën që hyrja në treg e lojtarëve të rinj që nuk kërkojnë përdorimin e burimeve të fundme, (frekuencave dhe numrave) të bëhet përmes procedurave shumë më të thjeshta dhe të shpejta, krahasimisht me ligjin e vjetër, duke eliminuar procedurat e stërzgjatura për licencimet por do të duhet vetëm një njoftim për AKE (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike) brenda 15 ditëve. Draft-ligji siguron të drejtën e çdo sipërmarrësi për të ofruar rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike, duke përmbushur vetëm kërkesat autorizimit të përgjithshëm, (ka zëvendësuar licencën) si edhe të autorizimit individual, të nevojshëm vetëm në rastin e përdorimit të burimeve të fundme, pra frekuencave. E drejta e përdorimit të frekuencave, do të kufizohet vetëm në rast se kjo kushtëzohet nga pamjaftueshmëria e frekuencave, si edhe për të siguruar përdorimin eficient. Dhënia e të drejtave të përdorimit të burimeve të fundme do të bëhet përmes procedurave objektive, transparente, jo-diskriminuese dhe proporcionale, bazuar në legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, ai do të mundësojë krijimin e një mjedisi rregullator të përshtatshëm dhe do t’i hapë rrugë proceseve të licencimit të teknologjive të reja të komunikimit”,- ka sqaruar Olldashi.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›