PS, fton shoqërinë civile për programin
Socialistët startojnë një tur të gjatë konsultimesh për programin e ri politik, me intelektualë dhe teknikë të fushave të ndryshme të paangazhuar në politikë. Fondacioni “Qemal Stafa” i drejtuar nga ish-zëdhënësi i selisë rozë, Sajmir Tahiri, ka organizuar dje bashkëbisedimin e parë me përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të pavarur, intelektualë dhe akademikë, përfaqësues të medias dhe grupeve të interesit, në kuadër të një konsultimi të gjatë, me sloganin “Me dyer të hapura” në lidhje me programin e ri politik të Partisë Socialiste, i cili pritet të zgjasë deri në muajin qershor. Ky konsultim ka për synim pasurimin e procesit të hartimit të programit të ri të PS me ekspertizën dhe kontributin e kualifikuar të asaj shtrese të shoqërisë, që në këto vite, njëlloj si qytetarët e thjeshtë, është ndjerë e lënë në hijen dhe presionin e vendimmarrjes arbitrare të politikës. Takimi, ku merrnin pjesë figura të shquara si akademiku Luan Omari, diplomati Agim Nezho, ambientalisti Sazan Guri, apo edhe publicistët, Gjergj Zheji, Andrea Stefani e shumë figura të tjera, drejtues institutesh dhe organizatash joqeveritare, u përqendruar kryesisht në problemet më kryesore që i shtrohen sot për zgjidhje politikës shqiptare, siç janë reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, politikat mjedisore, çështja e pronave, ajo e legalizimeve, zhvillimi urban apo edhe politika e jashtme. Në fjalën e tij, kryesocialisti Edi Rama ka ftuar të gjithë ata intelektualë dhe specialistë të fushave të ndryshme që kërkojnë të kontribuojnë në këtë proces formësimi të programit politik, që të bëhen pjesë e këtyre bashkëbisedimeve, të cilat do të zhvillohen paralelisht me “Dialogun me Shqipërinë” dhe tryezat e tjera në funksion të tij. Sipas tij, është e nevojshme që krahas diskutimit në bazë, programi dhe çështje të ndryshme të trajtohen dhe në nivel ekspertësh. Në këtë linjë, ai i ka kthyer dhe një përgjigje të gjithë atyre individëve që gjatë muajve të fundit e kanë kritikuar në lidhje me idenë për ta hartuar programin mbi bazën e rezultateve të “Dialogut me Shqipërinë”, duke theksuar se gjatë dialogut do të thithen mendimet dhe sugjerimet, ndërsa programi do të shkruhet nga specialistët në qendër. “Objektivi ynë nuk është të shkruajmë programin me një fazë. Objektivi ynë është ta shkruajmë programin me disa faza dhe pa asnjë dyshim, faza e parë dhe themeli i programit nuk mund të mos jetë konsultimi i gjerë popullor me qytetaret dhe qytetarët shqiptarë, në të gjitha skajet e Shqipërisë. Sigurisht që në fund, programi qeverisës i një partie dhe përkatësisht programi ynë shkruhet nga pak duar, por këto pak duar do të punojnë mbi mendimet, sugjerimet, idetë e dhjetëra-mijëra njerëzve”,- u shpreh Rama në fjalën e tij. Rama ka deklaruar gjithashtu se, PS po përpiqet që t’u japë shqiptarëve programin e parë qeverisës, pasi sipas tij, deri më tani Shqipërisë i ka munguar një program i mirëfilltë, i cili pas fitores së zgjedhjeve të jetë zbatuar nga forca qeverisëse. “Është koha për një program të munguar në 17 vjet, sepse partitë politike shqiptare në këto 17 vjet kanë përgatitur broshura elektorale me premtime për të fituar zgjedhjet, por nuk kanë përgatitur instrumente për të qeverisur”,- u shpreh Rama. Ndërkohë që gjatë takimit, të ftuar të ndryshëm, duke përshëndetur këtë nismë kanë sugjeruar që theksi të vihet në hartimin e një programi praktik dhe që të jetë i zbatueshëm në praktikë. Kështu, ish-ambasadori i Shqipërisë në NATO, duke folur për çështjen e politikës së jashtme të Shqipërisë, ka vënë në dukje absurditetin që ekziston në orientimin e diplomacisë shqiptare, ku nga njëra anë vendi ynë është anëtar i Konferencës Islamike dhe nga ana tjetër aspiron të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Ndërkohë, një çështje tjetër e diskutuar dje ka qenë dhe zgjidhja e problemit të pronave në vend, për të cilin diskutantët kanë bërë të qartë se pa një vullnet dhe ide të qartë, kjo çështje do të dojë dekada të tëra për t’u zgjidhur.