Qeveria, ligj për tarifat e celularëve
Operatorët me Fuqi në Treg, përcaktohen jo më mbi bazën e përqindjes që zënë në treg
Projektligji i komunikimeve elektronike i përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, paraqet një sërë rregullash të reja për këtë treg. Sipas projektit, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve zëvendësohet me një institucion tjetër, që është Agjencia e Komunikimeve Elektronike (AKE). Në këtë projekt, parashikohet që të ketë një metodike të re për përcaktimin e operatorëve me fuqi në treg. Projekti përcakton që të hiqet pozita me fuqi në treg (FNT) e një operatori që ka më shumë se 24% të tregut, që përcaktohej sipas ligjit të vjetër dhe futet koncepti i ri, ku një sipërmarrës do të konsiderohet se ka FNT, nëse i vetëm ose së bashku me të tjerë zotëron një pozitë të tillë ekonomike, që mundëson një zgjerim të ndjeshëm dhe të pavarur nga konkurrentët, klientët apo përdoruesit përfundimtarë.
Referencat për tarifat
Projekti parashikon që AKE do të detyrohet që të rregullojë tarifat sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj, duke iu referuar niveleve që zbatohen në tregun europian apo atë të vendeve të rajonit. Referuar ligjit, në këtë rast, tarifat e referencës mund të merren në nivel mesatar, ose duke përdorur teknika të gërshetuara për llogaritjen e tyre. Për të orientuar tarifat që përdorin konsumatorët përfundimtarë drejt kostos, që është edhe thelbi i këtij ligji, nevojitet që fitimi i realizuar në Shqipëri nga kompanitë me fuqi në treg të janë të ngjashme me fitimet mesatare në vendet e tjera të Bashkimit Europian, rajonit apo të vendeve të tjera në zhvillim. Por projektligji nuk është në vetvete instrumenti që rregullon këtë treg dhe tarifat që përdoren nga operatorët FNT. Ai i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike instrumentet për ta rregulluar, pra i jep mundësinë që të ushtrojë gjithë kompetencën e vet ligjore, për të detyruar operatorët me fuqi të ndjeshme në treg të respektojnë rregullat e lojës, që do të thotë që tarifat të jenë të orientuara drejt kostos. “Kjo do të thotë që Enti Rregullator duhet të bëjë atë që ka katër vjet që nuk e bën, të llogarisë metodologjinë dhe kostot e operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg”,- ka sqaruar dje Olldashi. Tarifat që rregullon ligji i ri janë dy; shërbimet universale, që është shumë normale që të rregullohen me ligj, sepse kërkohen të realizohen objektivat sociale të qeverisë dhe në disa raste qeveria mund të mbulojë edhe një pjesë të tyre, ndërsa, rasti tjetër është ai i sipërmarrjeve me FNT në tregun përkatës.
Llogaritja e kostos së shërbimeve
Një nga problemet që parashikohet se do të ketë vështirësi në një vlerësim teknik, sipas specialistëve të këtij tregu, janë përcaktimet që lidhen me koston e shërbimeve që ofrohen në tregun e komunikimit elektronik. Në këtë treg ofrohet një gamë e gjerë produktesh që janë në rritje çdo ditë dhe përcaktimi i kostove të tyre mund të kërkonte një sërë matjesh dhe negociatash me bizneset që operojnë në këtë treg. Ligji detyron që me futjen e tij në fuqi, Agjencia e Komunikimeve Elektronike të marrë një sërë masash të nevojshme, ku në radhë të parë duhet që të përcaktojë kostot e këtyre shërbimeve. Në frymën e këtij projektligji, përcaktimi i kostove të shërbimeve dhe krahasimi i tyre me tarifat që ofrojnë kompanitë në treg, mbetet edhe treguesi i vetëm që mund t’i vijë në ndihmë klientëve, për të pasur një nivel më të ulët të çmimeve. Siç u përmend edhe më larta, diferencat midis kostove dhe çmimeve do të krahasohen me ato të vendeve të tjera të rajonit apo në zhvillim, duke bërë që këto kompani që cilësohen me fuqi në treg të kenë një fitim të ngjashëm.
Metoda e Rregullimit të Tarifave
AKE mund të zbatojë rregullimin e tarifave nëpërmjet metodave të mëposhtme
përcaktimin e nivelit minimal ose maksimal të tarifave
korrigjimin e ecurisë së tarifave duke përcaktuar kushte të tilla si:
kufirin maksimal të rritjes së mendshme të tarifës brenda një periudhe të caktuar kohe
raportin maksimal të rritjes së tarifës që imponohet nga rritja e çmimeve të inputeve brenda një periudhe të caktuar kohe
procedura që do të përdoret për përcaktimin ose llogaritjen e tarifës, përfshirë detyrimin për orientimin në kosto, përcaktimin e kostove eficiente, që mundëson realizimin e një fitimi të arsyeshëm.
II) Në rregullimin e tarifës AKE do të vlerësojë të dhënat:
praktikën më të mirë të vendeve të BE
tarifat mesatare të vendeve të BE
tarifat e vendeve në zhvillim të ngjashëm me Shqipërinë
raportet ndërmjet tarifave të shumicës dhe pakicës
fitimin e realizuar nga sipërmarrësit e tjerë në tregun e telekomunikacioneve në vendet e BE dhe në vendet e tjera në zhvillim të ngjashëm me Shqipërinë.
***
box
Rasti kur orientohen tarifat
Me kërkesë të Agjencisë së Komunikimeve Elektronike brenda një afati kohor të arsyeshëm, sipërmarrësi i shpallur me fuqi të ndjeshme në treg duhet të provojë se tarifat që ai zbaton janë të orientuara në kosto. Nëse sipërmarrësi dështon brenda afatit të caktuar kohor për të përcaktuar se tarifat e zbatuara janë të orientuara drejt kostos, atëherë AKE do të konsiderojë se tarifat e tij nuk janë të orientuara në kosto dhe do të marrë masat përkatëse. Metodat që përdor AKE për të bërë auditin e të dhënave të paraqitura nga ana e sipërmarrësit, mund të jenë të ndryshme nga ato që ka përdorur vetë kompania.