E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti, ulje të tarifave të telefonisë

Me miratimin e këtij drafti nga Parlamenti, 4 operatorët që operojnë tashmë në tregun e komunikimit elektronik do t’i nënshtrohen një studimi tregu. “Projektligji parashikon një analizë të tregjeve dhe përcaktimin e sipërmarrësve me Fuqi të Ndjeshme në Treg, si edhe vendosjen e detyrimeve përkatëse ndaj tyre, sipas direktivave dhe rekomandimet e tjera përkatëse të BE”,- ka sqaruar gjatë ditës së djeshme në një konferencë për shtyp, ministri Olldashi. Nga ana tjetër, në rastet kur evidentohen abuzime me pozitën në treg, projekti i jep mundësi Entit Rregullator apo Agjencisë së Komunikimit Elektronik që të ndërhyjë me shumë më tepër instrumente dhe fuqi, për të korrigjuar problemet.
Tarifat
Një nga çështjet më të rëndësishme që trajton ligji, është përcaktimi i tarifave për operatorët me fuqi në treg. Ministri Olldashi ka sqaruar se, “qëllimi i rregullimit të tarifave të sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg, është parandalimi i sjelljeve anti-konkurruese dhe i diskriminimit të përdoruesve fundorë, pra konsumatorëve”. Tarifat e tyre duhet të jenë të orientuara drejt kostos, gjë që nënkupton një normë fitimi të arsyeshme për operatorët me fuqi të ndjeshme në treg, normë që duhet të jetë sa e operatorëve të tjerë të komunikimeve elektronike në vendet e BE-së, si dhe vendeve me zhvillim të ngjashëm me atë të Shqipërisë”,- tha Olldashi. Sipas projektligjit, gjobat i referohen shkeljeve konkrete dhe përcaktohen jo më si gjoba fikse, por si përqindje ndaj të ardhurave vjetore të sipërmarrësit që shkel rregullat në treg, duke i klasifikuar në disa nivele të ndryshëm, deri në nivelin prej 10%. “Këto kanë të bëjnë për shkelje të tilla, si moszbatimi i detyrimeve që lidhen me kontrollin e tarifave ose llogaritjes së kostos, moszbatimi i vendimeve të AKE për rregullimin e tarifave, moszbatimi i urdhrave të AKE për lidhjen e marrëveshjeve për akses dhe interkonjeksion, moszbatimi i detyrimit për ndarjen e llogarive për transparencë, mos diskriminim etj.”,- tha Olldashi.
 
Në ligjin aktual të Telekomunikacioneve, gjoba më e rëndë është 10 milionë lekë të reja. Ndërkohë, me ligjin e ri gjoba do të shkojë deri në 10% të të ardhurave vjetore. Një nga risitë e këtij projektligji është sigurimi i Shërbimit Universal nëpërmjet një skemë të re, të patrajtuar deri më sot. Kjo skemë synon që nëpërmjet kontributit të të gjithë lojtarëve të tregut, të mundësohet ofrimi i shërbimeve bazë të përfshira në skemën e shërbimit universal, edhe në zona ku shërbime të tilla mungojnë tërësisht ose ofrohen në mënyre të pamjaftueshme.
 
1) Përcaktimi i operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg nuk do të bëhet më për një periudhë të kufizuar kohe, por të bëhet për minimalisht 2 vjet.
2) Rrit gjobat për prishje të rregullave të tregut në këtë drejtim.
3) Monitorim shumë më të kujdesshëm nga ana e MPPTT, që është organi politikë-bërës në këtë fushë i aktivitetit të Entit Rregullator në mënyrë sistematike dhe permanente, ushtrimin e detyrimeve të veta ligjore për të monitoruar këtë treg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›