E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Data e shpalljes, e drejtë e institucioneve kosovare

Çështja e datës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është një çështje që i takon institucioneve të saj. Kështu është shprehur dje presidenti Bamir Topi, pas takimit që ka zhvilluar kokë më kokë me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi. Ndër të tjera, kreu i shtetit shqiptar ka theksuar rëndësinë e koordinimit të hapave të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në procesin e përcaktimit të statusit. “Çështja e datës, natyrisht është ekskluzivitet i institucioneve të Kosovës dhe kemi dëgjuar që në funksion të kohës, t’i referohemi datave relative. Njëherë ka qenë çështje muajsh, pastaj është bërë çështje javësh, është bërë çështje ditësh. Këto ditë ju keni dëgjuar që të diskutohet si referencë çështje orësh”,- tha Topi. Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se, vizita e presidentit Topi vjen në prag të shpalljes së pavarësisë. Ai theksoi se, Kosova së bashku me Shqipërinë do të thellojnë bashkëpunimin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Është shumë e rëndësishme të them se po flitet vetëm për datën. Kjo është më e rëndësishme. Ne, shumë shpejt do ta publikojmë datën se kur do të shpallet pavarësia. Do t’i kryejmë obligimet e tjera procedurale e teknike, dhe shumë shpejt Prishtina do të shpallë pavarësinë dhe do të kemi festën e madhe”,- u shpreh Thaçi. Presidenti Bamir Topi dhe kryeministri i Kosovës janë shprehur për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe përfundimin e segmentit rrugor Durrës-Morinë e kanë cilësuar si elementin më substancial për zhvillimin e këtij bashkëpunimi. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka bërë homazhe në varrezat ku prehet ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Gjithashtu, gjatë pasdites së djeshme, Presidenti ka qenë në fshatin Prekaz për të nderuar heroin Adem Jashari dhe familjen e tij, si dhe në Pejë. Në fund të ditës së dytë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti Topi ka marrë titullin “Qytetar Nderi i Prishtinës”, i cili i është dhënë nga kryebashkiaku i Prishtinës, Isa Mustafa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›