E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përkujton 2 korrikun 1990, pret një grup qytetarësh



Kryeministri Berisha priti dje një grup qytetarësh që hynë në ambasada më 2 korrik ‘90. Në mes tyre ishin zoti Edgar Çani, i cili hyri në Ambasadën Italiane së bashku me djalin 11 muajsh dhe pjesëtarë të tjerë të familjes; Avni Delvina, piktor në profesion, i cili hyri në Ambasadën Italiane bashkë me gruan shtatzënë, si dhe Agim Seitaj me bashkëshorten e tij, zonjën Manjola Tufina. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për aktin e guximshëm të tyre, akt i cili, siç theksoi kryeministri Berisha, i çeli rrugën hapjes së një kapitulli të ri në historinë e Shqipërisë, kapitullin e demokracisë. Kryeministri Berisha nënvizoi se ky grup të rinjsh shqiptarë të atyre viteve kishin në gjirin e tyre njerëzit më të guximshëm, të cilët me sakrificën dhe idealet e tyre, i hapën rrugën ngjarjeve dhe zhvillimeve të mëvonshme të udhëhequra nga rinia e mrekullueshme shqiptare, që sollën mposhtjen e diktaturës dhe erën e demokracisë në Shqipëri. Gjatë takimit u diskutua me emocion dhe në mes të shumë kujtimeve për ngjarjet e atyre ditëve, vështirësitë, por edhe për vendosmërinë e të rinjve të korrikut ‘90 për të rezistuar ndaj presionit të diktaturës dhe për të çuar deri në fund idealet e tyre të lirisë.

Kryeministri takon përfaqësues të Asamblesë së Rajoneve të Europës

Kryeministri Berisha priti dje përfaqësues të Asamblesë së Rajoneve të Europës, të kryesuar nga Mishele Saban, zëvendëspresidente e këtij institucioni. Në këtë takim Saban e njohu kryeministrin Berisha me organizimin, aktivitetin edhe prioritetet e Asamblesë së Rajoneve të Europës. Ajo theksoi se Asambleja e shikon me mjaft simpati progresin e shpejtë që Shqipëria ka realizuar në adresë të respektimit të identiteteve dhe zhvillimit rajonal. Kryeministri Berisha, gjatë takimit, u shpreh se “për qeverinë Shqiptare, konsolidimi i qeverisjes vendore, decentralizimi, partneriteti dhe zhvillimi integruar rajonal ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet më të mëdha. Modeli shqiptar i bashkëpunimit rajonal shkon në akord të plotë me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore, si dhe Dokumentet e tjerë që normojnë Demokracinë dhe Autonominë Lokale”. Më tej, kryeministri u shpreh se qeveria po punon për përsosjen e konceptit të zhvillimit dhe riorganizimit të rajoneve. “Qeveria ka krijuar një klimë mjaft favorizuese për zhvillimin rajonal, duke katërfishuar fondet për investime, duke modernizuar infrastrukturën, ka rritur shkallën e decentralizmit të taksave vendore dhe ka decentralizuar shërbimet publike”, - është shprehur Berisha.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›