Meta: “Zgjedhjet do të bëhen me Kodin aktual”
Në rast se socialistët nuk do të marrin pjesë në përgatitjen e reformës zgjedhore, atëherë zgjedhjet e ardhshme do të bëhen me Kodin aktual. Deklaratën e bëri dje zëvendëskryeministri Ilir Meta, i cili tha se vendi e ka një kod elektoral, i cili është konsensual dhe ka marrë 130 vota. Por, Meta gjithashtu bëri thirrje që PS-ja të marrë pjesë në përmirësimin e Kodit Zgjedhor, meqenëse dhe kërkesa e tyre e vazhdueshme ka qenë transparenca e procesit zgjedhor, të cilën mund ta realizojnë me ndryshime e ardhshme në Kod. “Ne do të kërkojmë dhe nuk do të lodhemi së kërkuari reformë, përderisa ka pretendime dhe nga ana e Partisë Socialiste për transparencë për zgjedhjet, nuk ka kuadër më të mire se sa vetë ndryshimet e Kodit Zgjedhor për të garantuar transparencën maksimale. Edhe ne mendojmë që Kodi ka nevojë për përmirësime, por kjo nuk do të thotë se në rast se nuk ka një vullnet politik, nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri, sepse në fund të fundit, Shqipëria ka një kod elektoral, të cilin ne nuk e kemi votuar, por që ka marrë 130 vota. Ky ka qenë kodi më konsensual për sa i përket votave në Parlament, por përderisa ata kërkojnë më shumë transparencë, duhet të kontribuojnë për të përmirësuar Kodin Zgjedhor dhe për këtë u është ofruar mundësia të marrin dhe rolin drejtues në reformën zgjedhore, të propozojnë të gjitha amendamentet që ata mendojnë do t’i shërbejnë garantimit të transparencës”, - është shprehur Meta.
I pyetur për deklaratat e përfaqësuesve të selisë rozë, sipas të cilëve nuk do të votojnë asnjë amendament në Parlament, Meta tha se opozita po punon në kundërshtim me interesat e vendit. “Unë shpresoj që deklarata të tilla janë thjesht veprime të momentit, të shkaktuara ndoshta dhe nga rezultatet surprizë të botërorit, por kurrsesi kjo nuk mund të jetë politika afatgjatë e një opozite e cila deklaron, siç ka bërë edhe në të kaluarën, se ka kontribuar për integrimin evropian të vendit, ndaj unë do të konfirmoj edhe një herë tjetër vullnetin dhe dëshirën për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën. Kuptohet që ka dhe mosmarrëveshje dhe kjo është më se normale, aq më tepër midis qeverisë dhe opozitës, por ka shumë çështje të përbashkëta, është interesi i vendit. Por, të deklarosh se nuk do të votoj më asnjë ligj, asnjë ligj që i shërben integrimit evropian të vendit, ky nuk është një dëm që i bëhet qeverisë, sepse qeveria, sikurse të gjithë e dinë, me 71 vota është e blinduar në funksionimin e saj, në mënyrë të veçantë falë ndryshimeve kushtetuese që u bënë natën e 21 prillit. Por, të kontribuosh në mënyrë negative, të mos votosh ligjet që i duhen integrimit të vendit, që i duhen biznesit, që i duhen transparencës, që i duhen funksionimit më të mirë të drejtësisë, ky është një veprim krejtësisht destruktiv, i cili shpresoj të ketë qenë më tepër një lapsus, sesa një politikë e mirëstudiuar dhe e përcaktuar nga ana e lidershipit të opozitës”, - është shprehur Meta.
3 Korrik 2010