E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përqendrohet tek arsimi – inaugurime në Universitetin e Kamzës si dhe në atë të Tiranës

05-04-2011 / Gazeta 55

Inaugurohet godina e re në Universitetin Bujqësor në Kamzë me vlerë 300 milion lekë  


Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e godinës së re në Universitetin Bujqësore në Kamëz, një investim me vlerë 300 milion lekë e cila ka një hapësirë prej 5400 metrash katrorë dhe 50 salla dhe laboratorë. Duke shprehur kënaqësinë për inaugurimin e kësaj godine, Kryeministri Berisha theksoi se në 5 vitet e fundit në këtë universitet  janë  investuar 7.6 milion dollarë duke bërë që vetëm për vitin 2010  investimet të jenë 10 herë më të larta sesa në vitin 2005, ndërkohë që vetëm në dy  vitet e fundit ky universitet ka përfituar 13 laboratorë të rinj mësimor dhe shkencor. Kryeministri Berisha u ndal gjithashtu dhe në një nga auditorët e këtij universiteti, ku zhvilloi një takim me stafin akademik, të cilët i përgëzoi për punën e bërë. Berisha i siguroi ata se qeveria shqiptare do të vazhdojë të investojë gjithnjë e më shumë  në arsimin në tërësi dhe arsimin e lartë të veçanti. Sikundër do të vazhdojë, tha ai,  mbështetjen e universitetit Bujqësor në mënyrë që ai të mund të përmbushë një mision shumë të rëndësishëm që ka në Shqipëri, dhe të shfrytëzojë të gjithë potencialet e jashtëzakonshme në prodhimet bujqësore, cilësinë e  tyre dhe prodhimet e tjera të kësaj fushe. Gjatë fjalës së mbajtur pas inaugurimit të godinës së re, kryeministri Berisha tha: Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë  time, që ndaj me ju gëzimin e ndërtimit të kësaj godine të re, fillimet e punimeve të së cilës i nisëm në  tetor të vitit 2009 dhe sot ju keni një nga korpuset më moderne të universiteteve tona, një investim prej 300 milion lekësh dhe një sipërfaqe ndërtimi 5400 metër katrorë  me 50 salla auditorë dhe laboratorë. Universiteti juaj, këto vite po pëson transformime të ndjeshme, po bëhen të gjitha përpjekjet që ju të përgatiteni, me cilësinë më të lartë, që universiteti juaj të udhëheqë kërkimin shkencor në këtë fushë themelore për zhvillimin e vendit. Qeveria shqiptare ka një përparësi të madhe dhe kjo përparësi është edukimi, shkollimi, sistemi  i edukimit dhe të gjitha ciklet e tij. Në këtë përpjekje të madhe, ne ia kemi dalë të arrijmë disa rezultate ndër më të rëndësishmet. Sot, 91% e të gjithë nxënësve dhe nxënëseve që mbarojnë klasat e nënta, ulen në bankat e shkollave të mesme. Sot, 70% e atyre që marrin maturën ulen në bankat e universiteteve. Këto tregues i bëjnë nder dhe vendeve më të zhvilluara, por natyrisht punë e madhe kërkohet të bëjmë bashkërisht në mënyrë që sikundër realizuam këto standarde, në rekrutimin në universitete në shkollat e mesme më ambicie të madhe me përkushtim të madh, të synojmë të arrijmë standardet më të larta në rajon dhe më gjerë në cilësinë e përgatitjes së studentëve. Të bëjmë çdo përpjekje, për tu përshtatur gjithnjë e më mirë me kërkesat dhe nevojat e tregut gjithnjë në ndryshim. Universiteti juaj ka një mision të madh. Ka misionin e udhëheqjes së transformimit tërësor të bujqësisë shqiptare. Shqipëria është vend i vogël, është vend me pak tokë, por ka tokën të cilësisë më të lartë. Është vendi më me diell, është vend plot ujëra. Nuk ka ndonjë vend tjetër që të ketë diversitetin e prodhimeve që ka Shqipëria.  Shqipëria është vend i vogël, por është vend me potenciale shumë të  mëdha, veçanërisht në fruti-kulturë. Universiteti  juaj po udhëheq  një nga projektet më të rëndësishme kombëtare në fushën e bujqësisë, atë të ullirit. Sëbashku pak muaj më parë inauguruam impiantin e prodhimit të fidanëve. Rektori më informoi se tashmë kanë çelur ato, por ndërkohë po lëshon shtat një program tjetër më i madh kombëtar dhe ky është programi  i  arrorëve. Shqipëria ka një sipërfaqe së paku dy herë më të madhe për arrorë, sesa për ullishte, ndaj dhe unë ju ftoj  ju, grupet e studimit që me përkushtim të madh të udhëheqin procesin e shndërrimit të Shqipërisë  në një nga prodhuesit e rëndësishme të këtyre frutave me një treg të përjetshëm me një treg të pashterrshëm në Europë dhe më gjerë. Ne jemi vetëm në fillimet e një transformimi të madh të prodhimit bujqësor në Shqipëri dhe blegtoral, por fillimet janë të fuqishme. Viti i kaluar shënoi dyfishimin e eksporteve bujqësore dhe në këto eksporte sërish pa ndonjë mbështetje të madhe arrorët kanë zënë një peshë të rëndësishme specifike. Universiteti po bashkëpunon ngushtë me qendrën e transformimit të teknologjive bujqësore, po bashkëpunon ngushtë me dhjetëra e dhjetëra universitete të Europës dhe të Botës. Kam bindjen më të madhe se stafi pedagogjik  kërkimor dhe shkencor, ju të dashur studentë dhe studente, me përkushtimin tuaj do t’ia dilni që t’u prini kërkimeve shkencore, transformimit të madh të prodhimit bujqësor shqiptarë dhe të bëni, që prodhimet e këtij vendi të vogël të bëhen të njohura në mbarë botën për cilësitë dhe shijet e tyre të pakrahasueshme me vendet  tjera. Edhe njëherë ju garantoj se qeveria do të vazhdojë të mbështesë bindshëm investimet në universitetin tuaj, në universitetet  e vendit. Kampuse po ndërtohen sot në një seri universitetesh dhe ne do të bëjmë gjithçka që universitetet tona të kenë laboratorët më moderne. Do të bëjmë çdo gjë që pedagogët dhe pedagoget  të kenë kualifikimet më të mira. Studentet të arrijnë rezultatet me të mira dhe të cilësisë më të lartë.


Kryeministri Berisha merr pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për certifikimin e gjuhës angleze, mes UT dhe ETS Global  


Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptim midis Universitetit të Tiranës dhe ETS Global. Sipas kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet bien dakord për të ndërtuar një marrëdhënie partneriteti afatgjatë, i cili përfshin të gjitha shërbimet që ofron ETS. Ky partneritet do të fillojë me ofrimin e dy testimeve të gjuhës angleze të lëshuara nga ETS, të cilat janë TOEFL dhe TOEIC nga Universiteti i Tiranës. Këto dy testime të cilat jepen në formën “paper-based” do t’i jepen Universitetit të Tiranës si ekskluzivitet për Shqipërinë. Të dy institucionet bien dakord që partneriteti i tyre do të vazhdojë në përfshirjen edhe të testimeve të tjera të njohura ndërkombëtarisht, të lëshuara nga ETS. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu, Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, Drejtori i Përgjithshëm i ETS Global, z. Zoubir Yazid, pedagogë e studentë. Kryeministri Berisha shprehu bindjen se kjo është një nga marrëveshjet më të rëndësishme që firmoset me një institucion privat të SHBA, si ETS Global. Duke theksuar faktin se për një vend të lirë, gara është konstantja e tij më e madhe, Kryeministri  tha se sot, gjuha e garës është anglishtja. “Ndaj edhe vendimi i qeverisë, i kësaj mazhorance, e bën Shqipërinë, sipas dijenisë sime, vendin e vetëm në Europë; “anglishtja me ligj”, theksoi Kryeministri. Ai theksoi se, duke i dhënë një përparësi  të padiskutueshme gjuhës angleze në vendin tonë, nuk zvogëlohet aspak hapësira për gjuhët e tjera të bukura kombeve të Evropës e botës, por përkundrazi, u jepet atyre një dimension i ri, i merituar. Gjithashtu, Kryeministri  inkurajoi rektoratet e universiteteve tona që të përparësojnë gjithnjë e më shumë testet në të gjitha fushat, sepse ato janë objektiva ambiciozë e fisnikë për t’u realizuar, janë rrugë e sigurt për të rritur cilësinë në sistemin tonë arsimor. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “I nderuar zoti Ambasador i SHBA Arvizu, I nderuar zoti  Kule, Rektori i Universitetit të Tiranës, I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i ETS Global, zoti Zoubir Yazid. Të nderuar pedagogë, profesorë, student të Universitetit të Tiranës, Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeverinë amerikane, me shtete të veçanta të SHBA, me sipërmarrjen private të këtij vendi të madh, ne kemi firmosur shumë marrëveshje gjatë këtyre 20 viteve. Këto marrëveshje kanë qenë marrëveshje shumë të rëndësishme, të cilat kanë dhënë një ndihmesë shumë të madhe në ndryshimin e Shqipërisë, marrëveshje të bazuara në projekte që i kanë mundësuar Shqipërisë të lerë pas një prapambetje shumë të thellë, marrëveshje me kompani private me të cilat Shqipëria ka kompletuar ndërtimet më të mëdha të të gjitha kohërave. Unë erdha këtu me bindjen se kjo është një nga marrëveshjet më të rëndësishme që ne firmosim  me një institucion privat të SHBA, ETS Global. Për një vend të lirë, gara është konstantja e tij më e madhe. Për ata të cilët kanë humbur kohë shumë në historinë e tyre, gara është shumë e rëndësishme. Midis të gjithave garave, gara e dijes është gara lider për kombin e shoqërinë. Sot gjuha e garës është anglishtja, sot gara ka njohur orën globale, orën universale në të gjitha fushat. Ndaj edhe vendimi i qeverisë, i kësaj mazhorance, e bën Shqipërinë, sipas dijenisë sime, vendin e vetëm  në Europë; “anglishtja me ligj”. Kjo ka pasur si shkak edhe faktin se ne përjetuam një izolim shumë të thellë dhe, me gjithë kërkesën dhe dhuntinë tonë për gjuhët e huaja, nuk ka qenë e mundur që njohja e gjuhëve të huaja të marrë përmasat e duhura, në këtë vend. Unë dua t’u shpreh një nderim shumë të madh studentëve dhe të rinjve shqiptarë të cilët e mirëkuptuan  këtë ligj që, në pamje të parë, si çdo ligj tjetër, ka aspektin e arbitraritetit. Dua të përshëndes Rektoratin që, në zbatim të këtij ligji, kurorëzon sot një marrëveshje shumë të rëndësishme, një bazë të fuqishme për përshpejtimin e realizimit të objektivit tonë. Kombi duhet të jetë bi-linguard, me gjuhë shqip dhe anglisht. Të gjitha kombet që kanë arritur këtë standard kanë përfituar shumë prej tij dhe kanë arritur nivele të larta të zhvillimit, - natyrisht jo vetëm nga ky standard, por  para së gjithash e mbi të gjitha sepse kanë qenë kombe të lira. Por ne sot jemi një komb i liri dhe duhet të lakmojmë standarde të larta. Duke i dhënë një përparësi  të padiskutueshme gjuhës angleze, unë jam i sigurt se nuk zvogëlojmë dhe nuk ngushtojmë aspak hapësirën për gjuhët e tjera të bukura të vendeve, kombeve të Evropës e botës, në vendin tonë. Jo, përkundrazi, ne i japim një dimension të ri, të merituar, gjuhës së huaj në Shqipëri. Në të gjitha shkollat e mesme do të jenë 2 gjuhë të huaja. Në maturë, anglishtja do të jetë gjuhë e detyrueshme. Ne, veçse operojmë me një dhunti të pamohueshme të shqiptarëve, dhuntinë për të qenë ndër më të mirët poliglotë. Gjuha jonë është buzore dhe jo qiellzore, por të paktë janë ata që shqipërojnë më mirë anglishten sesa shqiptarët. Kemi një spektër të mrekullueshme të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve që na lejojnë ne të jemi kalorës të çdo lloj gjuhe të huaj. Edhe njëherë, do ta mbyll duke përgëzuar këtë marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të inkurajoj rektoratet e universiteteve tona që të përparësojnë gjithnjë e më shumë testet në të gjitha fushat, sepse ato janë objektiva ambiciozë e fisnikë për t’u realizuar, janë rrugë e sigurt për të rritur cilësinë në sistemin tonë arsimor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›