Platforma e LSI për njësinë nr 5: Plan për hapjen e 2 mijë bizneseve të vogla

Kandidatja e Aleancës për Qytetarin për kryetare në minibashkinë nr.5 në Tiranë, Erisa Xhixho, ka zhvilluar sot disa takime me banorë kësaj njësie, në rrugën “Komuna e Parisit” për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Fillimisht, ajo është ndalur në një lokal që kishte falimentuar dhe po i “vinte drynin biznesit” pasi nuk përballonte dot më taksat e larta të pushtetit vendor. “Kemi 4 vjet që e kemi mbajtur këtë biznes, por tashmë është e bërë papërballueshme për shkak të taksave të larta që aplikon Bashkia e Tiranës e që kanë ardhur në rritje nga viti në vit”, u shpreh pronari i lokalit kandidates së “Aleancës për Qytetarin”. “Ne nuk kemi as mbështetjen e Bashkisë, kështu që jemi të detyruar ta mbyllim biznesin”, shtoi ai. Nga ana e saj, Xhixho premtoi se mbështetja ndaj biznesit dhe ulja e taksave do të jetë prioritet i saj kur të vijë në krye të minibashkisë nr.5. Banorë të tjerë të zonës i kanë kërkuar kandidates që të bëjë diçka për infrastrukturën brenda lagjeve në këtë zonë, që është në gjendje të mjeruar. “Rregullimi i infrastrukturës që duket si diçka e vogël, por në fakt është shumë e rëndësishme për banorët, do të modernizohet falë investimeve që ne kemi parashikuar tashmë”, u tha Xhixho. Më tej, ajo ka takuar një grup të rinjsh, të cilët i shprehën asaj një problem shumë të mprehtë siç është papunësia. Kandidatja e “Aleancës për Qytetarin”, u tha atyre se “ne kemi një projekt të rëndësishëm në programin tonë elektoral, që është mbështetjes financiare të bizneseve të vogla nëpërmjet kredive të buta në mënyrë që të hapim sa më shumë vende pune. Kjo politikë ka rezultuar e suksesshme në të gjitha qytetet evropiane ku është përdorur dhe të jen të sigurt se do të japë efektin e saj edhe këtu në Tiranë”. “Ne do të sjellim ndryshimin e vërtetë në Tiranë”, theksoi Erisa Xhixho.
...