E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu - Meta: Greqia mbështet integrimin e Shqipërisë



Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, është pritur dje nga kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgo Papandreu, gjatë Këshillit Ministerial të OSBE-së që po zhvillohet në Athinë. Gjatë këtij takimi, dy ministrat e Jashtëm, Meta dhe Papandreu, i vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe qeverive si të shkëlqyera dhe u angazhuan për thellimin dhe konkretizimin e tyre të mëtejshëm. Pjesë e këtij bashkëbisedimi ka qenë edhe axhenda e integrimit europian të Shqipërisë, stadi i ri i marrëdhënieve me Bashkimin Europian pas pranimit të aplikimit për anëtarësim nga Këshilli i BE-së dhe rreth procesit të liberalizimit të vizave. Ministri i Jashtëm Meta shprehu vlerësimin e qeverisë shqiptare për vizionin e prezantuar nga kryeministri grek Papandreu për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian brenda vitit 2014, duke e komentuar si “një vazhdimësi dhe dinamikë të re të angazhimeve të Samitit të Selanikut për vendet e Ballkanit Perëndimor”. Nga ana e tij, kryeministri grek, Papandreu, garantoi angazhimin e qeverisë greke për avancimin dhe konkretizimin e kësaj nisme, si dhe shprehu mbështetjen e plotë të Greqisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe për vendimin e pritshëm gjatë vitit të ardhshëm për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian. Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të bashkëpunimit dypalësh, ku ndër të tjera Meta kërkoi në emër të qeverisë shqiptare shqyrtimin nga pala greke të vendimit për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve, si dhe realizimin e një marrëveshjeje në fushën e sigurimeve shoqërore, që do t’i shërbejë integrimit të mëtejshëm të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Në këtë takim u ra dakord për mbledhjen në një kohë të shpejtë të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik, për të parë mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit në fusha me interes reciprok.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›