E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët do të jenë “Nderi i Kombit”

17/11/2009  Nderimi

Shoqata Mbarëkombëtare e të Persekutuarve Politikë dhe ambasada amerikane organizuan dje një ceremoni për përkujtimin e 37 intelektualëve të Tiranës, ku më 16 nëntor 1944 u ekzekutuan pa gjyq, pasi nuk ishin në krah të Partisë Komuniste. Gjatë kësaj ceremonie pritej që Presidenti Topi të nderonte të 37 intelektualët e pushkatuar me titullin “Nderi i Kombit”. Mes gjithë këtij grupi intelektualësh do të nderohen dhe Lorenc Rasha, i laureuar dy herë në Austri dhe Itali për mjekësi dhe që është babai i akrobates së njohur Vitore Sallaku (bashkëshortja e humoristit Skënder Sallaku). Mehmet Dado, që mbaroi me medalje ari te “Harri Fulc”, shkoi në Kozenca për inxhinier, përfundoi me medalje ari si ushtarak i lartë, por ngaqë nuk pranoi të betohet para flamurit italian, e ulën në gradë; Isuf Adhamin, drejtori i parë i kompanisë bujqësore në Xhafzotaj, që ishte i martuar me një italiane dhe kishte të birin vetëm dy vjeç kur ai u ekzekutua. Sot i biri tij, Adham Adhami, doktor i njohur në Itali, merr pjesë në këtë ceremoni, ku përveç babait të tij do të nderohen dhe intelektualë të shumtë. Në mesin e të pushkatuarve janë dhe dy vëllezërit dhe kushëriri i Musine Kokalarit: Muntaz dhe Vesim Kokalari, si dhe Syrja Kokalari. Por për shkak të axhendës së tij të ngarkuar, dekorimi nga ana e kreut të shtetit do të bëhet në ditët në vijim. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe mjaft personalitete. Nuk munguan dhe ministri i Financave Ridvan Bode dhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›