E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përuron 550 milionë lekë investime



Kryeministri Sali Berisha preu dje shiritin e afro 550 milionë lekëve investime të qeverisë, një pjesë e të cilave edhe në një nga zonat bastion të së majtës. Z. Berisha mori pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për sistemim-asfaltimin e hyrjes së qytetit të Fierit dhe rindërtimin e urës së Mbrostarit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 283. 304. 487 lekë. Po dje, Kryeministri i shoqëruar nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, përuroi përfundimin e punimeve të rrugës Krutje - Fier - Shegan, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 258 milionë lekë.

“Investimet tona, përtej së majtës dhe së djathtës”

Para banorëve të këtyre zonave, Berisha vuri në dukje se investimet janë të shpërndara si në qytete të mëdha, ashtu edhe në qytete të tjera dhe pa dallime partiake. Sipas tij, investimet janë bërë përtej së majtës dhe së djathtës. Kryeministri theksoi se kjo qeveri po shkon drejt mandatit të dytë me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, dhe e sigurt në realizimin e të gjitha premtimeve të dhëna. “Pra ne po investojmë kudo dhe po ecim në këtë mënyrë drejt një mandati të dytë, me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, të sigurt në realizimin e të gjithave premtimeve të dhëna, dyfishimin e pagave të mësuesve, dyfishimin e pensioneve në zonat rurale, dyfishimin e pagave të infermierëve, mjekëve, rritjen 50-70% të pensioneve në qytet, mbi dyfishimin e numrit të studentëve, internet në të gjitha shkollat etj”, - nënvizoi Kryeministri Berisha. Ai bëri të qartë se nuk ka ndonjë favor ndaj Sarandës, ndaj Fierit apo ndonjë qyteti tjetër. “Ne, - tha Berisha, - po investojmë kudo: në Kukës, në Tropojë, në Kolonjë dhe në çdo vend tjetër”.

“Inaugurimet e mia, me vendorët e PS-së në krah”

Kryeministri Sali Berisha përmendi dje faktin: “Të gjitha inaugurimet i kam bërë me qeveritarët vendorë në krah si të Partisë Demokratike ashtu dhe të Partisë Socialiste”. “Por, - shtoi ai, - tani është fushatë dhe natyrisht ata nuk kanë si të vijnë me mua në krah, sepse është normale, ata duhet të ruajnë një kod etik, por jashtë fushate ata kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë të pranishëm. Unë kam me ta një partneritet të shkëlqyer. Duke iu referuar këtij rasti ju e shikoni se si po modernizohet hyrja e qytetit të Fierit pavarësisht se bashkia e tij qeveriset nga socialistët. Por kryetari i Bashkisë së Fierit sigurisht që nuk mund të vinte sepse më pas do t`i plaste lufta me kryetarin e vet”, - tha Kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›