Meta sulmon Ramën: PS-ja, peng i listave të mbyllura
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, sulmoi dje kryetarin socialist, Edi Rama, se po mban peng deputetët dhe partinë me listat e mbyllura. Sipas Metës, me listat e mbyllura, Rama ka eliminuar zonat elektorale nga sistemi zgjedhor në Shqipëri dhe i ka futur në rresht deputetët si nëpunës të kryetarit të partisë
Gjatë një takimi me simpatizantë të LSI-së në Urën Vajgurore, pak ditë pasi kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormëni, shpalli largimin nga radhët e LSI-së për të shkuar tek PS-ja, Meta prezantoi një tjetër kandidat në këtë qark, Mustafa Muçin. Gjetje e duhur kjo për të ironizuar largimet e disa figurave të partisë së tij drejt selisë rozë. Në këtë mënyrë, Meta pranoi se zbardhja e listës së kandidatëve për deputetë ka sjellë probleme, megjithatë ai do të vijojë me zbardhjen e emrave, sepse duhet të ketë transparencë. “Kjo është një mënyrë që tregon transparencë dhe vendosmëri të LSI-së për t’i ruajtur raportet e saj me elektoratin me përgjegjësi konkrete dhe me emra konkretë, duke mos u fshehur pas listave të mbyllura”, - u shpreh ai. Meta akuzoi Ramën se me listat e mbyllura ka eliminuar zonat elektorale nga sistemi zgjedhor në Shqipëri dhe i ka futur në rresht deputetët si nëpunës të kryetarit të partisë. Pas disa largimeve si Gjikondi, Ndreu, Ormëni dhe Uruçi në Shkodër, Meta më në fund ka thyer heshtjen duke e shigjetuar ish-aleatin e tij, tek heshtja që e karakterizon këtë parti me afrimin e zgjedhjeve të qershorit. Sa i përket listës së kandidatëve për deputetë tek opozita, LSI-ja ka zbardhur një pjesë të mirë të tyre e kryesisht ata që do ta kryesojnë atë. Kjo ka shkaktuar reagimet, deri edhe largimet e para nga radhët e partisë. E kundërta ndodh me Partinë Socialiste. Momentalisht, kryetari i kësaj partie, Rama, është duke zhvilluar një tur në të gjithë Shqipërinë me vullnetarët e PS-së, por në asnjë rast nuk ka pasur prezantime apo publikime të emrave. Në krahasim me Metën që ka vendosur të vërë në punë kandidatët qysh tani, Rama ka zgjedhur rrugën e punës kolektive të të gjithë strukturave të partisë pa vënë në dijeni për kë u duhet të punojnë. Më të prekur nga e gjithë kjo situatë janë deputetët aktualë, të cilët nuk kanë ende asnjë ide se ku do të kandidojnë dhe çfarë vendi do të kenë në listë. Sipas deklarimeve më të hershme të kryesocialistit në muajin shtator, kur është pyetur për përpilimin e listave, ka lënë të kuptohej se në krye të tyre do të jenë figura të spikatura të qarqeve, të rinj etj. “As unë s’do të jem në krye të tyre”, - është shprehur Rama, një paralajmërim i qartë në adresë të grupit parlamentar e kryesisht figurave të spikatura të partisë që e vë në dyshim të ardhmen e tyre politike.
KQZ, modeli i dhomave të fshehta, si në 2007-n
Modeli i dhomave të fshehta për votimet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të jetë si ai i zgjedhjeve vendore 2007. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje në mbledhjen e radhës modelin e dhomës së fshehtë për votimet e 28 qershorit, ndërsa shtyu për më tej shqyrtimin dhe vendimin për modelin e zarfeve të sigurisë që do të përdoren në këto zgjedhje. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, deklaroi se në mbledhje u miratua në parim që në zgjedhjet e 28 qershorit të përdoren në qendrat e votimit ai model që është përdorur në zgjedhjet vendore 2007, pasi ka rezultuar se është komod për zgjedhësit dhe siguron fshehtësinë e votës. Sipas materialit shpjegues, dhoma e fshehtë, e përdorur në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2007, është e përbërë nga dy pjesë kryesore prej kartoni. Pjesa mbështetëse me përmasa 105 cm lartësi, 54 cm x 40 cm, përmasa syprinë dhe pjesa e fshehtë. Këto përmasa i sigurojnë votuesit një votim komod dhe të sigurt. Modeli i kësaj dhome të fshehtë është përdorur dhe përdoret në shumë vende dhe ka rezultuar si një nga modelet më të përshtatshme për kryerjen e procesit të votimit. Edhe dhomat e votimit për personat me aftësi të kufizuara do të jenë të të njëjtit model si i dy viteve më parë. Lidhur me modelin e zarfeve të sigurisë, që do të përdoren në administrimin e fletëve të votimit gjatë vlerësimit të numërimit të tyre nga grupet e numërimit, Subashi sqaroi se kjo çështje do të rishqyrtohet më me hollësi në mbledhjen e ardhshme.