Kompensimi, qeveria identifikon 4000 ha troje turistike
Qeveria identifikon 4000 mijë hektarë tokë turistike në bregdet që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Hektarët e parë janë identifikuar në Ultësirën Bregdetare të Adriatikut si dhe në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe Ohrit, të cilat do të vihen në dispozicion të procesit të kompensimit të pronarëve. Konkretisht, në Kavajë, Durrës, Kurbin, Lezhë dhe Shkodër, troje të cilat do të kalojnë për ish-pronarët që kanë kërkuar kompensimin fizik. Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, njoftoi dje se nga grupi Ad-hoc i ngritur për të identifikuar tokat publike në zonat turistike, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve përpos 4000 ha tashmë të përvijuar, deri tani janë në përfundim të procedurave të verifikimit edhe 2000 ha të tjerë të mundshëm në vijën bregdetare të Shqipërisë. Sipas saj në ditët që vijojnë do të konkretizohet një paketë e re aktesh nënligjore, në bazë të së cilës do të shpërndahen trojet për kompensim. Bregu vuri në dukje se çështja e kthimit dhe e kompensimit të pronave është një proces i vështirë, por jo i pamundur për këtë qeverisje. Vetëm në qershor të vitit të shkuar u identifikuan 20 mijë ha tokë bujqësore të gatshme për kompensim. Kompensimi fizik, kompensimi në cash i pronarëve, kreditimi së fundmi i 3000 familjeve që kanë zënë shtëpitë e pronarëve, bëjnë të mundur trajtimin si asnjëherë gjatë këtyre 18 viteve, të çështjes së pronësisë në Shqipëri. Për qeverinë “Berisha” zgjidhja e këtij problemi është jo vetëm një detyrim absolut për kompensimin e shtresës së ish-pronarëve, jo vetëm një kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian, por ndihmon edhe në zhvillimin e ekonomisë si dhe në thithjen e investimeve në Shqipëri. Identifikimi i tokës publike në zonat turistike që do të përdoren për kompensimin fizik të ish-pronarëve, është bërë në pesë qytete të vendit në bregdetin e Adriatikut. Inventarizimi i tyre do të kalojë përmes një procedure që do të hartohet nga Ministria e Drejtësisë tek ish-pronarët. Për qeverinë “Berisha”, kompensimi financiar për ish-pronarët për momentin është i papërballueshëm, ndaj ekzekutivi ka zgjedhur një zgjidhje tjetër. Kryeministri ka përmendur: "Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është t‘u ofrojmë pronarëve troje turistike".
Zonat ku do të kompensohen pronarët
Tokat e lira pranë bregdetit të Jonit dhe Adriatikut, liqenit të Pogradecit dhe Shkodrës dhe zonat jashtë parkut kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës, do të shkojnë në favor të ish-pronarëve. Kryeministri Sali Berisha njoftoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se kthimi i këtyre pronave tek ish-pronarët ndihmon në uljen e faturës së përgjithshme në këtë drejtim, pasi sipas tij, vetëm me kompensimin financiar një gjë e tillë është e pamundur. Sipas tij, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është një proces themelor, me një faturë që vjen në rritje progresive, sepse çdo vit çmimi i trojeve rritet. “Ai ka arritur në 2 mijë euro në qendër të Tiranës dhe ju siguroj se në vitet në vazhdim do të arrijë në 5 mijë e më shumë euro. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, në përputhje me detyrimin madhor që shteti ka ndaj ish-pronarëve, që ato të rikthehen ku është e mundur, të kompensohen”, - theksoi Kryeministri Berisha.
Kompensimi fizik, sipas hartës së çmimeve
Kompensimi fizik për ish-pronarët do të bëhet mbi bazën e hartës së çmimeve të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa Ministria e Drejtësisë do të përcaktojë edhe procesin me të cilin do të bëhet i mundur kalimi i trojeve publike tek ish-pronarët. Një grup ad-hoc i autorizuar nga qeveria, prej disa muajsh ka bërë matje në zonat bregdetare, prej nga ku ka rezultuar se mijëra hektarë toke atje janë të lira dhe mund të përdoren si mjet për kompensimin e ish-pronarëve. Kjo tokë do t‘u jepet ish-pronarëve në formën e trojeve turistike, që do të thotë se ata mund të investojnë në to, por gjithmonë sipas rregullave që parashikohen në këtë rast. Harta e çmimeve është përfunduar dhe mbi bazën e atyre çmimeve do mund të përdoret një sipërfaqe e madhe, që është identifikuar dhe verifikuar me të gjitha dokumentacionet se është sipërfaqe publike. Ajo që ka ngelur vetëm për t‘u përcaktuar është procedura e transferimit dhe mënyra se si do të shpërndahet kjo sipërfaqe. Kryeministri Berisha është shprehur se këto troje do të mund të përdoren në përputhje me parimet dhe platformën e zhvillimit të turizmit, se në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve janë identifikuar mijëra hektarë dhe territoret për këtë qëllim janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet, ai i Shkodrës dhe Pogradecit. Sikundër, ka thënë Berisha, duhet të bëhet një shqyrtim edhe për zonën jashtë Parkut Kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës. Sipërfaqet e identifikuara janë verifikuar me të gjithë dokumentacionin e duhur si troje publike, çka lejon më tej përcaktimin e procedurës së transferimit e shpërndarjes së tyre.
Çmimet në raport me sipërfaqet e mëdha
Harta e çmimeve të trojeve turistike tashmë është përfunduar. Mbi bazën e këtyre çmimeve do mund të përdoret një sipërfaqe e madhe, që është identifikuar dhe verifikuar me të gjitha dokumentacionet se është sipërfaqe publike. Ajo që ka ngelur vetëm për t‘u përcaktuar është procedura e transferimit dhe mënyra se si do të shpërndahet kjo sipërfaqe. Trojet do të mund të përdoren në përputhje me parimet dhe platformën e zhvillimit të turizmit. Sipas Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, çmimet e tokave për zonën e Dhërmiut janë 2281 lekë/m2, Palasë: 1729 lekë/m2, Pilur: 671 lekë/m2, Orikum: 17867 lekë/m2, Radhimë: 2143 lekë/m2, Zvërnec: 1617 lekë/m2, Delvinë: 1191 lekë/m2, Ksamil: 3686 lekë/m2. Kurse harta e çmimeve për zonën e Shkodrës varion: 31753 lekë/m2 si maksimali, 1429 lekë/m2, si minimali ndërkohë që në Velipojë arrin 1286 lekë/m2. Për sa i përket zonës turistike në Pogradec, çmimi maksimal është 27177 lekë/m2 kurse ai minimal 22000 lekë/m2.