Rama peng Unazën, si “Pushkini plaçkat e vjetra”
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, i kujtoi dje kundërshtarit politik, Edi Rama, se po mban peng projektin e Unazës së Re të Tiranës si “Pushkini plaçkat e vjetra”. Sipas Berishës, Rama as nuk po e ndërton projektin, por as nuk ia jep qeverisë për ndërtim duke e mbajtur atë peng. Gjatë vizitës së djeshme në Fier, Berisha iu drejtua banorëve: “Siç e shihni, investimet janë të shpërndara si në qytete e mëdha, ashtu dhe në qytete të tjera, madje ne do të donim që të inauguronim dhe fillimin e punimeve të Unazës së Tiranës, por ai po mban peng projektin si ‘Pushkini plaçkat e vjetra’. Çfarë mund t`i them unë atij, ai nuk e lëshon projektin. Vetë nuk e ndërton, por as projektin nuk e jep”. “Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, - shtoi ai, - do t’i lëmë xhufkat e 1 Majit të viteve ’60. Le t`i mbajë ato, - u shpreh Berisha, - sepse, edhe një herë e them, qytetarët ndihen të lënduar me konceptin e vullnetarëve. Të tentosh të vullnetarizosh shqiptarët do të thotë të tentosh t`i pronësosh ata, t`i bësh pronë tënden. Në një kohë kur ne duam të jemi qytetarë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, zotëria i tij u thotë bëhuni vullnetarë të Enverit, sepse socialistët i kanë shijet e vullnetarizmit”, - tha z. Berisha.