Berisha përuron në Lezhë fabrikën e çimentos
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në përurimin e fillimit të punimeve për fabrikën e re të çimentos në Balldren të Lezhës. Në këtë ceremoni morën pjesë: ambasadori i Italisë në Tiranë Saba D’elia, deputetë të Lezhës, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Ambasadori italian, D’Elia, vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë shumë të veçanta në të gjitha fushat. Veçanërisht, ai theksoi mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, e cila do të afirmohet më 4 prill me anëtarësimin e vendit në NATO. Duke u ndalur në nivelin e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ambasadori italian tha se Italia zë 34 për qind të këtyre shkëmbimeve. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha tha se ky investim është dëshmi e një marrëdhënieje intensive me Italinë mike, dëshmi e një besimi të madh të sipërmarrësve italianë dhe atyre botërorë ndaj Shqipërisë, së pari, për përpjekjet e jashtëzakonshme që qeveria ka bërë për krijimin e klimës sa më të favorshme për biznesin. Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se ky është një rezultat i politikave të drejta ekonomike që ka ndjekur kjo qeveri. Duke vlerësuar rëndësinë e investimeve në fushën e çimentos, kryeministri tha se Shqipëria, tani dhe në vitet që vijnë, do të jetë kantieri më i fuqishëm i ndërtimeve në Ballkan. “Në këtë vend është një rrjet rrugor i tëri për t’u rindërtuar, janë mbi 400 diga, hidrocentrale të reja për t’u ndërtuar, janë pothuajse qindra kilometra tunele, tashmë jo të kuptimit të vjetër, por tunele për të çarë malet dhe shkurtuar distancat, tunele për të rritur fuqinë energjetike të ujërave tona. Janë me mijëra e mijëra platforma të turbinave të erës për t’u ndërtuar në kodrat e Balldrenit dhe të mbarë vendit”, - nënvizoi kryeministri.
31 Mars 2009