Rruga Kalimash-Morinë, miliona lekë të paguara për punë të pakryer
Eljona Ballhysa
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Kuvend raportin vjetor për administrimin e fondeve buxhetore nga institucionet shtetërore gjatë vitit 2008. Në raport konstatohet se gjatë vitit 2008, dëmi ekonomik si pasojë e shpërndorimit të fondeve buxhetore është 4,046 miliardë lekë. Shumica e parave të shpërdoruara ka ardhur si pasojë e prokurimeve publike të realizuara në kundërshtim me ligjet në fuqi. Një hapësirë e veçantë në raport i është kushtuar Rrugës Rrëshen-Kalimash-Morinë nga ndërtimi i së cilës rezultojnë 461,779 milionë lekë dëm ekonomik.
Rruga
Në raportin e KLSH-së është bërë e ditur se 65,580 milionë lekë është dëmi ekonomik i shkaktuar nga kontrata e lidhur për llogari të projektuesve të segmentit të Rrugës Rrëshen-Kalimash-Morinë. Ndërsa tatimi mbi të ardhurat me vlerën 460 mijë euro është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Ndërsa 184,213 milionë lekë është vlera e rritjes së volumit të punës në kontratrat e lidhura me 5 kontraktorë në segmentin Kalimash-Morinë. Sipas KLSH-së, 116,687 milionë lekë është vlera e likuiduar për punë të pakryer në segmentin Kalimash-Morinë, pra është një shifër fiktive, që tregon për një dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit. Më tej është konstatuar një shumë prej 45,878 milionë lekë dëm ekonomik si rezultat i hartimit të kërkesave diskriminuese për kualifikim në tenderin e zhvilluar për ndërtimin e lotit të tretë të segmentit Kalimash-Morinë dhe 9,693 milionë lekë dëm ekonomik për shkak të skualifikimit të padrejtë të një oferte me vlerë më të ulët. Të gjitha këto kapin shifrën e 461,779 milionë lekëve dëm ekonomik nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, shkaktuar vetëm për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash-Morinë. Për të gjitha këto, KLSH-ja ka sugjeruar Këshillin e Ministrave që të shmangë rritjen e mëtejshme të kostos së ndërtimit të kësaj rruge. Sipas KLSH-së, qeveria duhet të gjejë mundësinë e bashkëpunimit me shoqërinë “Bechtel & Enka” për të rishikuar disa përcaktime të kontratës siç është rishikimi i shtojcës për çmimet për njësi për t’i përshtatur ato me çmimet për njësi të aplikuara deri tani në tregun shqiptar. Po kështu, sugjerohet rishikimi i kontratës në shtojcën sasitë e synuara për t’i përshtatur ato me zërat e punës që aplikon Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. KLSH-ja thekson në raport se për këto sugjerime drejtuar qeverisë nuk kanë marrë ende një përgjigje dhe se nga verifkimi nuk është zbatuar kjo këshillë.
Shkeljet
Në raportin e KLSH-së është theksuar se në kontrollet e ushtruara për përdorimin e fondeve buxhetore nga institucionet e administratës shtetërore në nivel qendror dhe vendor janë konstatuar gjithsej 4.046 miliardë lekë dëme ekonomike, nga të cilat rreth 780 milionë lekë në fushën e prokurimeve publike ose në masën rreth 19.3%. Edhe gjatë vitit 2008, vendin e parë për shpërdorime të fondeve buxhetore e mbajnë organet e sistemit tatimor dhe doganor. Gjatë vitit 2008, KLSH-ja ka bërë 32 kallëzime penale për 81 persona që kanë shkaktuar një vlerë dëmi prej 1.793 milionë lekë. Në sektorin e tatim-taksave, dëmi ekonomik kap vlerën e 144,951 milionë lekëve si pasojë e mospagesës së detyrimeve tatimore. Në fushën e pagave e shpërblimeve, dëmi kap vlerën e 23,007 milionë lekëve. Në fushën e shpenzimeve operative dëmi ekonomik është 21,796 milionë lekë.
Subjektet e kontrolluara ku janë konstatuar shkeljet me dëm ekonomik:
Në fushën e të ardhurave:
Ministria e Ekonomisë 309,898 milionë lekë
Qendra e Publikimeve Zyrtare 12,105 milionë lekë
Ministria e Kulturës 3,680 milionë lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 681 milionë lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivit të Shtetit 621 milionë lekë
Ministria e Mbrojtjes 499 milionë lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve 54 milionë lekë
Ministria e Transportit 40 milionë lekë
Ministria e Brendshme 22 milionë lekë
Në fushën e shpenzimeve:
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve 461,779 milionë lekë
Ministria e Ekonomisë 39,600 milionë lekë
Ministria e Kulturës 17,931 milionë lekë
Ministria e Transportit 13,501 milionë lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 6,851 milionë lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve 4,108 milionë lekë
Ministria e Brendshme 3,414 milionë lekë
Ministria e Mbrojtjes 1,691 milionë lekë
Ministria e Punës 777 milionë lekë
31 Mars 2009