LSI: Vendimi i qeverisë shkakton konfuzion, kartat të jepen falas
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj vendimit më të fundit të qeverisë, e cila ka ulur çmimin që duhet të paguajnë shtresat në nevojë për pajisjen me karta identiteti. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se ky vendim i qeverisë shkakton konfuzion dhe se ende nuk ka kohë për zgjidhje eksperimentale. “Vendimi i fundit i qeverisë është i destinuar të shtojë konfuzionin nga njëra anë, dhe nga ana tjetër rrezikon që t’i demotivojë më tutje qytetarët për t’u përfshirë në proces dhe për t’u pajisur me kartat e identitetit. Duke i konsideruar këta faktorë të mësipërm, si dhe momentin në të cilin ne ndodhemi, pasi nuk ka më kohë për të gjetur apo për të shpikur zgjidhje të tjera eksperimentale, LSI-ja është e mendimit që duhet gjetur një zgjidhje e fundit, e vetme, një zgjidhje e shpejtë, radikale, gjithëpërfshirëse. Në gjykimin tonë, një zgjidhje e tillë do të ishte më e përshtatshmja dhe gjëja kryesore që duhet bërë është ajo që procesi i pajisjes me karta identiteti të mos lidhet me pagesën e tarifës. Zgjidhja e fundit, të cilën ne e kemi theksuar edhe më parë, është ajo e shpërndarjes dhe pajisjes me karta identiteti pa e lidhur procesin me pagesën. Falas, në kuptimin imediat”, - tha Xhufi. Ai i bëri thirrje OSBE-ODIHR-it që të ndërhyjë në këtë situatë për të ofruar një zgjidhje. “Së fundi, duke pasur parasysh që ka pasur edhe deklarata nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, të cilat, në gjykimin tonë gjithashtu, nuk kanë ndikuar për të ndihmuar dhe mbështetur procesin, ne jemi të mendimit që për problemin tepër akut dhe tepër vendimtar për suksesin e zgjedhjeve, pra për problemin e pajisjes me karta identiteti, duhet dhe urohet që të shprehen dhe organizmat e specializuara për proceset zgjedhore, siç është OSBE-ODIHR-i, i cili, duke u nisur dhe nga përvojat në vendet e tjera, në demokraci në tranzicion, do të mund të ofronte dhe ai një zgjidhje, e cila mund të bëhej një zgjidhje që do të përqafohej nga e gjitha politika shqiptare”, - tha Xhufi.
31 Mars 2009