E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferraj: “Zgjedhjet në PD do të mbyllen brenda prillit”



Partia Demokratike po përshpejton hapat për përmbylljen e procesit zgjedhor në strukturat e saj dhe brenda muajit prill do të zgjidhet edhe kryetari i kësaj force politike për Tiranën. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Ferdinand Xhaferraj, konfirmon faktin në fjalë ndërsa e vlerëson procesin e përzgjedhjes së kandidaturave si transparent. “Procesi pothuajse ka mbaruar në mbi 90 për qind të degëve dhe unë mendoj që deri nga mesi i muajit prill mund të përfundojë në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Procesi ka përfunduar në shumë degë të rëndësishme si në Degën e Partisë Demokratike në Durrës, Vlorë e Korçë. Është një traditë në Partinë Demokratike që gjithmonë lihet në fund konferenca e Tiranës”, - bëri të ditur Ferdinand Xhaferraj, sekretar për Marrëdhëniet me Publikun. Gara për kreun e PD-së së Tiranës ngjalli interesin e shumë deputetëve demokratë, të cilët deklaruan kandidaturën e tyre, por do të jetë kryesia e partisë ajo që do të diskutojë për kandidaturat e propozuara nga seksionet dhe më pas do të votojë.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›