Ndryshimi i Kodit Penal. “Hetim edhe për bashkëpunëtorët e zyrtarëve që fshehin pasurinë”
Kryeinspektori i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive informoi dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve mbi raportin e këtij institucioni për vitin 2008. Gjatë fjalës së tij, Llalla bëri të ditur se gjatë kontrolleve të ushtruara nga Inspektorati rreth 120 zyrtarë kanë rezultuar të dyshuar ndërkohë që 66 janë konstatuar në konflikt të hapur interesi. Sipas tij, gjatë vitit 2008, numri i subjekteve të kontrolluara ka qenë 3940 zyrtarë të administratës shtetërore, prej të cilëve 70 raste që nuk kanë respektuar afatet e plotësimit të formularit të deklarimit të pasurisë. Llalla bëri të ditur se 11 raste janë dërguar për kallëzim penal, midis të cilëve një rast zëvendësministri që akuzohet për fshehje të pasurisë. Pikërisht për të luftuar në të ardhmen mundësinë e fshehjes së pasurisë nga zyrtarët e administratës shtetërore, Llalla kërkoi ndryshimin e Kodit Penal. Sipas tij, duhet të ndiqen penalisht jo vetëm zyrtarët që fshehin pasurinë, por edhe bashkëpunëtorët e tyre. Ai tha se në këtë drejtim ndihmesë do të japë edhe formulari i ri, që përfshin deklarimin e pasurisë së fëmijëve dhe të vjehrrit dhe vjehrrës së zyrtarëve. Gjatë fjalës së tij, Llalla gjithashtu kërkoi ndryshime dhe përmirësim të ligjit të deklarimit e pasurive dhe atij për luftën kundër konfliktit të interesave. Kryeinspektori tha se është e nevojshme që të zgjatet periudha e kontrollit të subjekteve që nuk janë të dyshuar, siç janë deputetët. Sipas tij, është mirë që kontrolli për ta të bëhet një herë në dy vjet, në mënyrë që inspektorët të përqendrohen te zyrtarët e dyshuar. I pyetur nga socialisti Xhafa për mundësinë e kontrollit të financimit të partive politike, Llalla tha se institucioni që ai drejton i ka të gjitha kapacitetet e duhura për të kontrolluar burimet e financimit të partive politike, ashtu sikurse parashikohet në Kodin Zgjedhor. Deputetët e Komisionit të Ligjeve e vlerësuan raportin e përmbledhur të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive dhe punën e bërë nga ky institucion dhe ranë dakord që të paraqiten në seancë parlamentare me një rezolutë të përbashkët.
31 Mars 2009