Gjana bën analizën e bujqësisë: “Verifikimi i titujve të pronësisë, ligji më i rëndësishëm i 17 viteve”
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka bërë dje analizën e punës shtatëmujore të Ministrisë që ai drejton. Gjatë fjalës së mbajtur, ministri Gjana është shprehur se shtatëmujori i vitit 2008 ka shënuar arritje të rëndësishme në zhvillimin e bujqësisë në vend. Bujqësia dhe ushqimi, sipas ministrit, u plotësuan në këto shtatë muaj me disa prej ligjeve më të rëndësishme që përputhin standardet e vendit me ato të BE-së. Të tilla janë: ligji i ushqimit, ligji për blegtorinë, ligji për ujitjen e kullimin, ligji për mbrojtjen e bimëve, si dhe ligji për verifikimin e titujve të pronësisë. Duke u ndalur veçanërisht në ligjin për verifikimin e titujve të pronësisë, Gjana tha se ky është një ndër ligjet më të rëndësishme për tokën gjatë 17-viteve. “Ligji i miratuar në korrik 2008 për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore është, jo vetëm plotësimi i një boshllëku, por edhe angazhimi më serioz i qeverisë aktuale, angazhimi më i qartë i një qeverie në harkun kohor të 17 viteve gjatë të cilave është proceduar me ndarjen e tokës bujqësore, për të vënë në vend drejtësinë, për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin në një proces dhe mbi një prej pronësive më të mëdha që kanë kaluar nga shteti te privati. Ky ligj nuk prek asnjë princip bazë të ndarjes së tokës bujqësore përveçse merr përsipër të luftojë abuzimin dhe vjedhjen e titujve të pronësisë”, - është shprehur Gjana. Ai gjithashtu vlerësoi punën e bërë për krijimin e fondit të tokës për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Gjana tha se është bërë kalimi i 17335 hektarëve tokë shtetërore në funksion të kompensimit të ish-pronarëve. “Në zbatim të VKM-së së shtatorit 2007 u punua intensivisht për përgatitjen e dokumentacionit të plotë, që përfshin hartat kadastrale, tabelat me numrat kadastralë të ngastrave, sipërfaqet e tyre, duke verifikuar në terren dhe në gjithë indikatorët kadastralë tokat disponibël shtetërore, dhe pas kësaj u miratua VKM-ja për kalimin e 17335 ha tokë shtetërore në funksion të kthimit të pronave ish-pronarëve”, - ka theksuar ministri i Bujqësisë.
30 Gusht 2008