Berisha përuron punimet në rrugë e ujësjellës në jug
Kryeministri Sali Berisha përuron disa investime në rrethin e Gjirokastrës. Në kuadër të turit të tij "Shqipëria po ndryshon" ka mbërritur në rrethin e Gjirokastrës qysh në orët e mëngjesit, ku fillimisht është ndalur për të inspektuar punimet në rrugën Kardhiq-Sarandë. Gjatë inspektimit kreu i qeverisë u shpreh se, ky është një aks që shkurton distancën e kësaj zone të jugut me kryeqytetin e vendit dhe është një zhvillim i domosdoshëm për turizmin në rajon. Ndalesa e dytë e Berishës ka qenë përurimi i fillimit të punimeve për ujësjellësin e fshatit Mashkullorë. Më pas ai ka përuruar nënstacionin elektrik të ri të Gjirokastrës dhe rrjetit shpërndarës prej 20 kilovolt. Një investim i qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane me vlerë 3.7 milionë euro. Dy ndalesat e fundit të kryeministrit gjatë qëndrimit në rrethin e Gjirokastrës ishte rruga hyrëse e Derviçanit me vlerë 12 milionë lekë, si dhe përurimi i sistemimit të përroit të fshatit në fjalë me vlerë 34 milionë lekë. Berisha për herë të parë është shprehur rreth përfitimit të dy shtetësisë për popullsinë greke në jug të vendit. "Jam plotësisht dakord me përfitimin e dyshtetësisë për qytetarët shqiptarë me kombësi greke, pasi kjo afron edhe më tepër popujt nga të dy anët e kufirit", është shprehur Berisha gjatë një fjalimi që ka mbajtur në kryeqendrën e zonës minoritare në Derviçan. p.n