Bojaxhi, drejt kandidimit për PD-në e Tiranës
BLEDAR HOTI
Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, pritet të jetë një nga kandidatët e ardhshëm për kreun e PD-së së Tiranës. Bojaxhiu, sipas burimeve, pritet jetë një nga rivalët e deputetit të PD-së, Besnik Mustafaj për PD-në e kryeqytetit, duke u bërë kështu kandidati i dytë për këtë post. Sipas burimeve pranë PD-së, mësohet se emrin e Bojaxhiut për këtë post pritet ta propozojë baza e partisë, një nga seksionet e PD-së së Tiranës. Kohët fundit, drejtori i KESH-it është bërë aktiv në jetën politike, duke u angazhuar në debatet publike të zhvilluara nëpër televizionet e ndryshme, duke u përfaqësuar në panelin e demokratëve. Vetë ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes në politikë aktive, duke synuar drejtimin e degës demokrate të metropolit shqiptar, ndër më të rëndësishmet. Në muajin shtator, ish-ministri i Jashtëm, Mustafaj, shpalli kandidaturën e tij për PD-në e Tiranës. Zgjedhjet në degën blu pritet të mbyllen brenda 4 muajve.
Debati për planin
e Tiranës
Bojaxhi është përfshirë në kundërshtimin e politikave të ndërmarra kohëve të fundit nga ana e Bashkisë së Tiranës, që drejtohet nga kryesocialistit Edi Rama. Duke pasur statusin e anëtarit të PD-së në Këshillin Bashkiak, Bojaxhi kontestoi dje planin rregullues për Tiranën i bërë publik nga ana e kryebashkiakut dy ditë më parë. Duke folur pranë një pallati në ndërtim pranë digës së liqenit të Tiranës, Bojaxhi theksoi se, "demokratët do ta kundërshtojnë planin, pasi bashkia po e paraqet atë se i ka dhënë më parë lejet e ndërtimit për pallate". "Pas tetë vitesh qeverisje të Tiranës, PS-ja, kryetari i bashkisë bën një plan rregullues. Është për të ardhur keq që shumë prej atyre hapësirave që duhen rregulluar nga ky plan tashmë janë betonuar. Kemi shembuj konkretë se si hapësira të gjelbërta tani janë betonuar me leje të dhëna nga bashkia. Këtu jemi 30 metër larg liqenit dhe është ngritur një pallat, leje e dhënë në vitin 2005 nga Bashkia e Tiranës. Këtu kemi një abuzim të Bashkisë së Tiranës me hapësirat publike", theksoi Bojaxhi.
Bare: Betonizimi, gjepura të Bojaxhiut
Kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, i cilësoi të pavërteta deklaratat e Bojaxhiut. "Me keqardhje vura re sot kolegun tim Bojaxhiu që u bashkua me korin e vjetër të Berishës kundër arritjeve të Bashkisë dhe Kryetarit të saj, Edi Rama. I kujtoj kolegut tim Bojaxhiu, se ai duhet të ketë parasysh humbjen kolosale të KESH-it, gropën e madhe të zezë, e cila është e krahasueshme me buxhetin vjetor të buxhetit të shëndetësisë", theksoi Bare. Kreu lokal i PS-së shtoi se, "nga ana tjetër kjo më kujton endjet e Olldashit vjet nëpër rrugët e Tiranës, i cili kërkonte karrigen e kryetarit të Bashkisë, duke folur gjepura të ngjashme me të Bojaxhiut të sotëm". "I kujtojmë Berishës, Metës dhe tërë Bojaxhinjëve të tjerë, se Tirana në vitin 2000 kishte vetëm 3.1 metra katrorë gjelbërim për frymë, ndërsa sot ka 4.3 metra katrorë gjelbërim për frymë. Dhe kjo falë punës së këtij ekipi të Bashkisë dhe kryetarit të saj. Më vjen keq që kolegu im Bojaxhiu u qan hallin fëmijëve tanë, kur në fakt nga ana tjetër gropa e zezë e KESH-it u thith familjeve të tyre çdo muaj në mënyrë sistematike dhe të paligjshme para që vijnë nga faturat aforfe", tha këshilltari socialist Bare.