“Tesera e PS jo kusht për deputet”
Aristir Lumezi
Kandidatët për deputetë nuk do të jenë vetëm socialistë. Sekretari socialist për çështjet Elektorale, Kastriot Islami, zbuloi dje një nga kriteret e kandidatëve për deputetë që do të përbëjnë listat e kësaj partie për zgjedhjet e përgjithshme të 2009. Sipas tij, Partia Socialiste nuk do të jetë e kufizuar vetëm në anëtarët socialistë për listat e kandidatëve për deputetë. Sipas Kastriot Islamit, tesera e PS nuk do të jetë kriter për përzgjedhje në listat e kandidatëve për deputetë, por do të ketë njerëz me popullaritet dhe mbështetje në zona. Kandidatët për deputetë do të përfaqësojnë shtresa të konsiderueshme të popullsisë. "Jemi akoma në fazën e diskutimit të mënyrës se si do të përzgjidhet i gjithë rezervuari i kandidaturave, si do bëhen konsultimi i tyre me anëtarësinë e PS-së, por dhe më gjerë se kaq, duke rritur mjedisin e opinioneve të elektoratit në këto zona për këtë listë", u shpreh Islami.
Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral ka hartuar një strategji të qartë mbi mënyrën e organizimit të fushatës zgjedhore, skemat se si do veprojnë të gjitha strukturat partiake gjatë fushatës, por dhe modalitete që kanë të bëjnë me listat e kandidatëve për deputetë. Selia rozë anashkalon parimin "Një anëtar, një votë" në përzgjedhjen apo seleksionimin e kandidaturave dhe do ta aplikojë këtë parim në një dimension më të vogël, duke testuar kandidatura në grupe anëtarësie prej 300 deri në 500 socialistësh dhe simpatizantësh në qarqe të ndryshme për të parë dhe mbështetjen e emrave që do përbëjnë këto lista. Mësohet se në mbledhjen e fundit të kryesisë, Edi Rama ka këmbëngulur në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë vetëm mbi bazën e popullaritetit dhe mbështetjes që kanë figurat në komunitet, pa pasur asnjë paragjykim nëse kandidati është anëtar i PS-së. Qëllimi i të gjithë strategjisë elektorale të PS-së do të jetë fitorja bindshëm i zgjedhjeve të qershorit 2009 për ta risjellë atë në pushtet. Por sekretari socialist i çështjeve Elektorale shpjegon dhe mënyrën e paraqitjes së partive në koalicionet e përbëra. Sipas Islamit, lista e kandidatëve për deputetë të PS-së nuk do të shkrihet me asnjë listë partie tjetër qoftë dhe aleate, por do të respektohet koalicioni i përbërë. "Listat janë me renditje të përcaktuar në koalicionin e përbërë që do të thotë që secila parti të ketë listën e saj, pra nuk ka bashkim ose ndërthurje të partive në një listë, kështu që secila parti politike do të ketë sistemin e saj të përcaktimit të kandidaturave, seleksionimit dhe renditjes së tyre për deputetë në zgjedhjet e ardhshme", u shpreh Islami. Socialistët propozuan sistemin proporcional rajonal, përmes të cilit eliminohet njëherë e mirë fenomeni i Dushkut i aplikuar gjerësisht nga dy partitë e mëdha për të shpërndarë votat aleatëve të tyre më të vegjël.