Parandalohet krimi, prangoset 28-vjeçari
SHKODER - Arrestohet për armëmbajtje pa leje 28-vjeçari Suad Rrustem (Bajri). I riu nga Shkodra, i dënuar dy herë për të njëjtën vepër dhe rrëmbim personi për qëllime përfitimi, sipas policisë dyshohet se po përgatitej të kryente një vrasje për hakmarrje. Policia e Shkodrës, pohon se ai u arrestua me një pistoletë me vete, ndërsa dy të tjera iu gjetën gjatë kontrollit të policisë. Pas mbajtjes nën vëzhgim nga agjentët e policisë, 28-vjeçari është ndaluar pasditen e djeshme në lagjen "Partizani", në dalje të qytetit të Shkodrës, ndërsa ishte i ulur në një lokal. Efektivë të policisë i janë afruar, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi. Në moment është bërë kontrolli fizik i tij, duke iu gjetur në brez një pistoletë tip TT. Bashkë dy armët e tjera ajo është bllokuar, duke u çuar për ekspertim për të përcaktuar nëse me to janë kryer vepra të mëparshme penale. Për policinë, informacionet e siguruara flasin për një atentat të mundshëm të të riut ndaj një personi, emri i të cilit nuk bëhet i njohur për arsye sigurie. Bajri ishte kontingjent i policisë, për shkak të dënimeve të vuajtura prej tyre për dy akuza. r.d