E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet ish-mësuesi, u kërkoi ryshfet nxënësve

 

KORÇE - Një mësues i shkollës së mesme në Korçë është prangosur nga policia në orët e vona të së premtes, mbasi ishte dënuar në mungesë për korrupsion pasiv. Me vendim të Gjykatës së Faktit ai është dënuar me një vit e gjysmë burg dhe u prangos për të kryer dënimin. Policia e Korçës dje ka bërë të ditur se, ka arrestuar ish-mësuesin e historisë dhe gjeografisë Vladimir Todorushi, 60 vjet, banor i qytetit të Korçës. Prej mëse një viti ai ka qenë person i shpallur në kërkim, pasi akuzohej për kërkim ryshfeti nga një grup nxënësish të tij. Para kësaj kohe ai punonte mësues i historisë dhe gjeografisë në Shkollën e Mesme Ekonomike në Korçë. Burime pranë Prokurorisë së Korçës pohuan se, ai u akuzua nga nxënësit e tij se kërkonte lekë prej tyre për t'i kaluar në fund të vitit shkollor. Edhe pse kishte ankesa nga nxënësit dhe prindërit e tyre, nuk ishte vepruar mbasi nuk kishte prova të mitmarrjes. Po në maj të vitit 2007 kanë qenë vetë nxënësit që mundën të siguronin provat e kërkuara nga organi i akuzës. Ata gjatë marrjes së lekëve nga një nxënës arritën ta filmonin me një telefon celular dhe me këtë provë u ankuan në Drejtorinë Rajonale të Arsimit. Kjo drejtori bëri denoncimin për mësuesin në prokurori, të cilit i vuri në dispozicion edhe filmimin e kryer nga nxënësit. Në atë filmim dukej shumë qartë momenti kur nxënësi i jepte 5 mijë lekë mësuesit dhe ky i fundit i merrte për t'i futur në xhep. Pas kësaj ngjarjeje mësues Todorushi braktisi punën dhe u largua në Greqi. Atje ai ka qëndruar i fshehur dhe ka punuar si emigrant ekonomik, ndërkohë që në mungesë çështja i kaloi gjykatës, e cila e dënoi me 1.5 vjet burg. Dy ditë më parë, sapo ish-mësuesi është kthyer në banesë një grup i policisë ka mbërritur te banesa e tij për të bërë arrestimin.      j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›