E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në PS ka vetëm vlera materiale”

 

Dy kryetarët e minibashkive të kryeqytetit, Ilir Kokona i njësisë nr. 3 dhe Pandi Sara i njësisë nr. 7 shpjeguan dje para mediave arsyet e vendimit për të braktisur PS e Edi Ramës. Liria e cunguar në punën me Edi Ramën dhe humbja e vlerave njerëzore ishin arsyet që ata iu bashkuan grupit të nismëtarëve që krijuan PS '91. Përmes një konference për shtyp në hotel "Tirana", Ilir Kokona dhe Pandi Sara zyrtarizuan dje largimin e tyre nga PS.
"Liria e cunguar me të cilën punohet me Edi Ramën, ishte shkaku i largimit të tyre nga kjo parti", u shpreh Kokona. Sipas tij, sot PS është shndërruar në një ndërmarrje ku emërohesh dhe kërkon medoemos ta privatizosh atë. PS sot nuk është më një parti ku njerëzit vijnë vullnetarisht me të drejta të barabarta. "Një nga arsyet kryesore pse Partia Socialiste ishte aq e madhe në '91 dhe u bë gjigande deri në 2005 dhe sot të katandiset në një ndërmarrje si ish-Metalurgjiku në '92, ku të gjithë vraponin me letra me vlerë që ta bëjnë pronë të tyre, ku nuk dihet se kush hyn e kush del, kjo ka qenë arsyeja pse u largova nga PS", u shpreh Kokona. Ndërsa Pandi Sara, një nga kryetarët e suksesshëm të minibashkive të Tiranës, tha se në PS kanë humbur vlerat njerëzore dhe ato janë zëvendësuar me vlera materiale. Kjo është pasojë e ardhjes së socialistëve të rinj që nuk kanë asnjë lidhje shpirtërore me PS e '91. "Dikur punohej ndryshe në PS, ka pasur disa struktura, ka pasur një lloj demokracie, ku që nga organizatat socialiste kishte propozime për çështje të ndryshme që diskutoheshin deri lart, duke sjellë kështu dhe motivim për socialistët, ndërsa tani çdo gjë ka ndryshuar. Puna sot bëhet mbi bazën e shkëmbimeve, çfarë do më japësh t'i po të ndihmova unë". Kjo është filozofia e sotme. Dikur ka pasur më solidaritet, ka qenë më e komunikueshme, më të sakrifikuar për njëri-tjetrin", tha Sara. Ndërkaq selia rozë e ka kaluar në heshtje dhe nuk ka bërë asnjë koment lidhur me këtë largim dy kryetarëve socialistë të minibashkive të kryeqytetit, të cilët njëkohësisht ishin dhe anëtarë të asamblesë socialiste të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›