E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha po ben rolin e dordolecit!

Ka një dallim thelbësor midis sulmeve personale denigruese, ofenduese dhe mediokre, për fat te keq, të kryeministrit të Shqipërisë ndaj një individi, i cili është përpjekur me modesti të paralajmërojë në kohë (në mënyrë të përsëritur dhe në periudha të mëparshme) ngjarjet negative dhe dëmet që do t'i vijnë ekonomisë shqiptare, tashmë për fat të keq të vërtetuara. Gjatë tërë studimeve, publikimeve, analizave dhe prononcimeve që kam dhënë për to, jam përpjekur të jap vlerësime realiste dhe rrugëzgjidhje në të mirë të ekonomisë. Kam menduar se është detyra ime si ekonomist për t'i shërbyer edhe kësaj Qeverie dhe këtij Kryeministri, gjithnjë në të mirën e vendit dhe publikut. Por, debati mbeti në një terren shterpë me njerëz që jo vetëm nuk arritën të kuptonin situatën që po evolonte me shpejtësi, por përkundrazi reaguan negativisht dhe në kundërshtim me atë çka duhej të bënin, gjë që çoi në një realitet fatkeqësisht të hidhur. Vlerësimet e mia kanë qenë konservatore, të rezervuara, ndërkohë që realiteti provoi vërtetimin e këtyre parashikimeve, madje në një masë të përkeqësuar. Nervozizmi i papërmbajtur i Kryeministrit e ka bazën pikërisht në vërtetimin e këtyre pohimeve e transparencën tashmë të bërë të ekonomisë shqiptare.
* * *
Lançimet e shigjetave të helmatisura me sharje e ofendime të Z. Berisha si Zeusi nga maja e Olimpit janë të njohura prej dekadash për stilin dhe malinjitetin e tyre. Eshtë në stilin e tij tashmë të mirënjohur që të sulmojë këdo që mendon ndryshe, që tregohet transparent dhe thotë të vërtetën pa ndrojtje. Këto mjete presioni e shantazhi me kërcënimin e shpalljes "heretik", më japin përshtypjen se po jetojmë diku në Mesjetë, ku deklarimi se "toka është e rrumbullakët" të rrezikon me vajtjen në "turren e druve". Komenti im për gjithë shigjetimet dhe fyerjet e kryeministrit ndaj meje është: ai po bën rolin e dordolecit.
* * *
E kam për turp dhe nuk do të replikoj për çështje ekonomike me një njeri profan në fushën ekonomike, eksperimentet e përsëritura të të cilit në vitet 1996, 1997 dhe në 2008, 2009 e 2010 janë certifikuar tashme si të dështuara.
Mendoj se Z. Berisha i ka ardhur koha të marrë bluzën e mjekut dhe nëse e pranon tregu të shëroje ndonjë të sëmurë. Sa i takon ekonomisë, ai mund t'i shkaktojë asaj vetëm vuajtje, por s'e shëron dot më. Le të marrë me vete dhe të gjithë turrën e pseudoekspertëve dhe drejtuesve mediokër që s'dinë gjë tjetër veç të bëjnë deklarata servile e oportuniste që bien në kontradikte me njëra-tjetrën dhe që s'bëjnë gjë tjetër veçse i bëjnë më të pabesueshëm dhe qesharake para publikut e ndërkombëtarëve. U kujtoj këtyre zotërinjve "goglaxhinj" që ekonomia nuk i merr zgjidhjet nëpërmjet një kërkimi të rëndomtë në motorin e internetit "Google".
Në mbyllje të këtij reagimi të detyruar, po i drejtohem më shumë publikut. Në shënimet e tij pastor Martin Niemoller shkruante: së pari erdhi radha për socialistet, unë nuk fola sepse nuk isha socialist. Pastaj u erdhi radha sindikatave dhe unë nuk fola sepse nuk isha sindikalist. Pastaj u erdhi radha izraelitëve dhe përsëri nuk fola se nuk isha izraelit. Pastaj më erdhi radha mua, por nuk kishte mbetur më asnjë për të folur për mua.
(GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›