E Diel, 1 Nëntor 2026

"Berisha po injoron situatën ekonomike"

Euforia e qeverisë për të injoruar situatën e vështirë të ekonomisë shqiptare mund t‘i bëjë më të rënda pasojat e kësaj krize. Ky ishte konstatimi i djeshëm i ish-ministrit socialist të Financave, Arben Malaj. Teksa përshëndeti anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ai shtoi se kjo ngjarje historike i rrit detyrimet. "Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndjejmë detyrim të qartësojmë opinionin publik", tha Malaj.

Sipas tij, në kushtet kur kriza është thelluar në të gjitha vendet partnere tregtare të Shqipërisë, ajo do të rrezikojë akoma më shumë ekonominë e vendit tonë. Teksa kreditimi i biznesit dhe konsumatorit është bërë ose i pamundur ose më i shtrenjtë, ristrukturimi i kredive të pakthyera ose në vështirësi duhet të shihet si një mundësi për të zbutur krizën ekonomike dhe sociale. "Deformimi dhe mashtrimi me treguesit ekonomikë dhe fiskalë të vendit është i papranueshëm, keqpërdorimi elektoral i fondeve buxhetore të taksapaguesve shqiptar është rritur", nënvizoi Malaj. Ish-ministri socialist tha se nëse vazhdohet me këtë papërgjegjshmëri abuzive qeveritaro-elektorale, financimi i deficitit dhe borxhit publik mund të bëhet më i vështirë dhe me kosto më të rëndë. "Marrja hua në euro nga tregu ndërkombëtar tregtar, me kosto të lartë 9 deri në 12%, mund të jetë shumë e rëndë për stabilitetin afatgjatë të buxhetit", u shpreh Malaj. Në arsyetimin e tij, asnjë institucion ndërkombëtar nuk mund t´i ofrojë qeverisë shqiptare fonde, nëse ajo vazhdon të manifestojë keqpërdorim të buxhetit të saj.

Ndërsa rënia e thithjes së fondeve nga donatorët është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vizionit, profesionalizmit dhe përgjegjësisë nga qeveria shqiptare. "Shtimi i kostove dhe barrierave ndaj biznesit edhe të vogël, po shton risqet dhe dështimet e tij tani që ndodhet në kushtet e mbijetesës", konstatoi Malaj. Partia Socialiste insiston sakaq se bllokimi i rimbursimit të TVSH-së ndaj bizneseve është jo vetëm antiligjor, por edhe jo ekonomik. Pamundësia për të krijuar fonde garancie dhe për të mbështetur kreditimin e eksporteve shqiptare, aplikimi apriori i pagave të referencës, heqja e çdo detyrimi fiskal për investimin e teknologjive, burokracia e rritur me administratën publike, mosaplikimi i kompensimit të tatimeve të paguara më shumë me detyrimet e sigurimeve shoqërore, mungesa e projekteve të trajnimeve dhe ritrajnimeve për punonjësit e sektorit të eksporteve, sipas eksportuesve dhe ekspertëve të Partisë Socialiste janë faktorë që po rrisin vështirësitë e eksportuesve, rënien e aktivitetit dhe rritjen e papunësisë.

Në vlerësimin e Partisë Socialiste, përballimi me përgjegjësi i kësaj situate të rënduar ekonomike nuk është një ballafaqim thjesht elektoral, por një sfidë kombëtare, të cilën qeveria jo vetëm që nuk po e përballon dot, por nën ethet elektorale dhe me keqpërdorimet buxhetore në rritje po e bën më të rëndë për të gjithë shqiptarët.

Zyrtarisht, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar nuk kanë pranuar që vendi ynë është prekur nga kriza ekonomike botërore. Kryeministri Sali Berisha është shprehur se ekonomia shqiptare po ecën mjaft mirë, me një rritje ekonomike 9.9 për qind, por që, sigurisht, do të pasqyrojë krizën ekonomike në një rënie ndoshta të eksporteve, importeve dhe të ardhurave nga emigrantët. Sipas tij, duke qenë se Shqipëria ka ende shumë burime për t‘u shfrytëzuar dhe shumë projekte që kanë marrë rrugën e zhvillimit, ka optimizëm për të pasur rritje ekonomike të mëtejshme. Në të njëjtën linjë është rreshtuar edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, duke kundërshtuar krizën ekonomike në vend. Këto deklarata kanë hasur prej kohësh në kontestimin e opozitës, e cila këmbëngul se ekonomia është përkeqësuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›