E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat paraprake, KQZ lëshon alarmin

Korrigjimi i listave zgjedhore përplasi dje partitë politike në Komisionin Parlamentar Ad Hoc. Institucioni i KQZ-së ishte në një seancë raportimi lidhur me ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e 28 qershorit. Shqetësimi i parë erdhi për çështjen e listave të votuesve. Nënkryetarja e institucionit të menaxhimit të zgjedhjeve, Dëshira Subashi, gjatë raportimit të saj në komision u shpreh se "ka një afat që po shkon drejt skadimit dhe procedura e riparimit të listave fillon e komplikohet, sepse humbasin të drejtën e një ankimi administrativ dhe një riparimi në gjendjen civile". Për këtë, funksionarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëri fajtor pushtetin lokal. "Ende nuk kemi asnjë të dhënë nga pushteti vendor lidhur me ecurinë e këtij procesi", tha Subashi. Sakaq, kartat e identitetit shërbyen si objekt konfrontimi midis dy forcave më të mëdha politike. Partia Socialiste kërkoi në Komisionin Ad Hoc për zgjedhjet më tepër informacion nga kompania që merret me letërnjoftimet, ndërsa mazhoranca deklaroi nga ana e saj, se raportimi i kompanisë "Saggem" në komision nuk është parashikuar në kontratën me Ministrinë e Brendshme. Por, gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, PD dhe PS kanë rënë dakord për të thirrur në Komisionin Ad Hoc përfaqësuesit e kompanisë që prodhon kartat e identitetit, "Saggem". Gjatë seancës së raportimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryetari Arben Ristani tha se deri tani ky institucion ka miratuar 38 vendime dhe 9 udhëzime për procesin, ndërsa njoftoi për ngritjen e gjithë Komisioneve Zonale për Administrimin e Zgjedhjeve. Ristani theksoi se konsensusi i partive ka ndihmuar KQZ-në në marrjen e vendimeve të pranuara nga të gjithë anëtarët. Por, nënkryetarja Dëshira Subashi tha se problem mbetet trajnimi i punonjësve të KQZ-së, pasi 50 për qind e stafit është i patrajnuar. Sipas saj, pushteti vendor ende nuk ka ofruar të dhëna paraprake për listat e zgjedhësve, ndërsa theksoi nevojën e krijimit të një rregulloreje të brendshme të KQZ-së. "Një pjesë e tyre, pothuajse janë të rinj, në mos gaboj 50 për qind e stafit është marr në mënyrë urgjente, pa një trajnim në lidhje me procesin zgjedhor dhe që sigurisht e vështirëson punën dhe përgatitjen e këtyre materialeve në të ardhmen", vijoi Subashi. Ndërkohë, problemi i ditëve të fundit të KQZ-së me komisionerët e PS-së në KZA, është zgjidhur sipas kryetarit Ristani. "Gjithashtu janë ngritur komisionet në të gjithë Shqipërinë. Në datën 2 nuk kemi pasur asnjë problem, në të gjithë Shqipërinë janë ngritur KZAZ-të dhe aktualisht po vazhdon ngritja e KZAZ-ve në Tiranë", tha kreu i KQZ-së, Ristani. Në datën 2 prill u krye konstituimi i Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpër qarqe të ndryshme. Dje përfundoi zyrtarisht ky proces edhe për të gjitha KZAZ-të e Qarkut të Tiranës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›