E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Letërnjoftimet, qeveria nuk është transparente

Opozita akuzoi dje qeverinë dhe veçanërisht Ministrinë e Brendshme se nuk po bën transparencën e kërkuar në procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Pas mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar për monitorimin e infrastrukturës zgjedhore, socialisti Kastriot Islami tha se ministria nuk po mundëson të dhëna të freskëta mbi ecurinë e procesit dhe për këtë arsye kërkoi edhe raportimin e kompanisë aleat në komision. "Nuk është as në formatin, e as me freskinë e duhur ky informacion. Dhe na është dhënë shpjegimi që ka pasur një problem komunikimi midis qeverisë dhe kompanisë aleate. Pra, ne sot jemi të pakënaqur nga mënyra se si ky informacion ka ardhur, si për sa i përket kohës, freskisë dhe formatit", deklaroi Islami. Socialistët kërkuan ngritjen e Komisionit Parlamentar Ad Hoc për të vëzhguar përgatitjet për procesin zgjedhor. Sipas tyre, problemet me kartat e identitetit rrezikojnë seriozisht zgjedhjet. Opozita kërkon kontroll të plotë mbi procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. Nënkryetari socialist i Komisionit Ad Hoc, Kastriot Islami, tha se informacioni që merr Kuvendi për kartat dhe ecurinë e procesit të tyre është i copëzuar dhe me vonesë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›