Ministria: Opozita të kontrollojë listat e zgjedhësve
Ministria e Brendshme ftoi dje opozitën të bashkëpunojë për listat e votuesve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve, të cilët kanë aplikuar për karta identiteti përpara datës 20 mars, të shkojnë të tërheqin letërnjoftimet. Mesazhi i Ministrisë së Brendshme erdhi pas shqetësimit të Partisë Socialiste për çështjen e kartave, ndaj ajo i kërkon opozitës të jetë pjesë e kontrollit nëpërmjet ngritjes së grupeve të përbashkëta të ekspertëve. "Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik deri në datën 20 mars në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë, të tërheqin letërnjoftimet e tyre", tha zëdhënësi Fatmir Konja. Ministria e Brendshme shpreh qëndrimin e saj lidhur me pretendimin e paraqitur në mënyrë të përsëritur nga opozita, për një numër qytetarësh që nuk zotërojnë pasaportë për udhëtim jashtë shtetit, emrat e të cilëve nuk gjenden në listat e personave pa pasaportë të dërguara pranë njësive vendore. Ky dikaster shprehet i gatshëm të kryejë verifikime të përbashkëta me përfaqësues të opozitës për të gjithë ata qytetarë që opozita pretendon se nuk kanë pasaportë dhe nuk figurojnë në listat e publikuara të personave pa pasaportë për udhëtim jashtë shtetit.