E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Unë, Kryeministri që do të sjell ndryshimin

Data 28 qershor do të ndryshojë rregullat e lojës. Me këtë premtim u shfaq dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në prezantimin e programit politik. Që në krye të fjalës së tij, Rama shpalli synimin se "kam hyrë në këtë garë për t‘i ndryshuar rregullat e kësaj loje bashkë me qytetarët dhe për t‘i dhënë bashkë me ju më 28 qershor Shqipërisë një qeverisje të qytetarëve, me qytetarët, për qytetarët". Bashkë me Ramën, në podium u ngjitën një pjesë e ekspertëve që morën pjesë në hartimin e programit, të ndarë në podiume të veçanta sipas fushës përkatëse. Krah Ramës qëndronte ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, prurjet e reja në selinë rozë: Rudina Seseri, Ditmir Bushati, Eglantina Gjermeni. Këta, së bashku me Arben Malajn, Andis Harasanin, Ledi Shamkun, Ervin Bushatin dhe Besnik Baren, ishin hartuesit e programit. Në një fjalim prej më shumë se 60 minutash, kreu socialist foli për qeverisjen e re, të përkthyer në reforma në arsim, shëndetësi, mjedis, bujqësi etj., duke mos përjashtuar në asnjë moment bilancin katërvjeçar të qeverisë "Berisha". Kjo e fundit, sipas Ramës, rezultoi të jetë një keqqeverisje, jo vetëm nga padituria, por edhe nga përfshirja në afera korruptive të vetë kreut të qeverisë dhe ministrave të tij. "Është koha që të kthejmë faqen në arsim, shëndetësi, në bujqësi, duke renditur vizionin e PS për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve e duke shprehur vendosmërinë se për të gjitha këto reforma, PS është gati të bëjë aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet të mbledhura së bashku", u shpreh Rama.

Pjesë e fjalimit të kreut socialist ishte edhe ngjarja e Gërdecit. "Vullkani i korrupsionit që shpërtheu në Gërdec, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm, po nxjerr përditë mbi sipërfaqe blozën e oxhakut familjar që qeveris Shqipërinë. Për ta mbuluar këtë blozë nga fytyra e qeverisë së tij, Sali Berisha nxin përditë me zhargonin vulgar të politikës së vjetër modelin tonë të suksesit, Bashkinë e Tiranës dhe derdh përditë mbi Partinë Socialiste baltën e mllefin e dëshpërimit të tij", tha Rama.

Sipas tij, Kryeministri e ka marrë përgjigjen tre herë nga populli i kryeqytetit. "Do ta marrë këtë radhë nga populli i gjithë Shqipërisë. Sepse shqiptarët, socialistë dhe demokratë, nuk e duan qytetin e fshatin e tyre si Gërdeci, por si Tirana. Sepse ne që e duam Tiranën edhe një herë më të mirë se sot, për vete dhe për të gjithë ato motra e vëllezër, që nga emigracioni te Tirana kanë krenarinë e tyre, nuk mund ta lënë atë peng edhe një herë tjetër në duart e njeriut që i hapi rrugë Gërdecit", deklaroi kryetari i PS-së. Rama nënvizoi se për hesap të një biznesi familjar, iu lidhën sy e duar 11 institucioneve të shtetit, biznes që sipas tij është i Sali Berishës. "Qeveria jonë do të ndryshojë rrënjësisht nga qeveria që mbyll më 28 qershor kontratën e saj të parinovueshme me popullin shqiptar. Unë do të jem Kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre dhe për një politikë të ëndrrave e të shpresave të tyre, e cila nuk bëhet në kutinë e televizorit për arsyet që na ndajnë në emër të së shkuarës, por mes njerëzve për zgjidhjet që na duhen në drejtim të së ardhmes", tha Rama duke bërë në këtë mënyrë dallimin mes tij dhe Kryeministrit aktual. Referuar 28 qershorit, kryesocialisti nënvizoi se kjo është data e ndryshimit të rrjedhës së historisë përmes politikës. Nga njëra anë, është rruga e vjetër e këtyre 18 vjetëve, deklaroi Rama, që do të thotë edhe 4 vjet të tjera në botën e vjetër të premtimeve të pambajtura e të zullumeve të papërmbajtura. Dhe nga ana tjetër, vijoi ai, rruga e re, e një historie të re, që kërkon zemër e kurajë për të parë larg, aty ku panë të parët tanë, që na lanë amanetin e Shqipërisë zonjë dhe aty ku na çojnë këmbët e brishta të ëndrrave të fëmijëve tanë, të cilëve u kemi borxh një atdhe ndryshe nga ky që kemi sot. I bindur se vota e 28 qershorit do të shkojë në rrugën e re, Rama ftoi shqiptarët të ecin së bashku për të shkruar një faqe të re historie. "Kjo është koha jonë dhe ne do të fitojmë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë", deklaroi Rama. Përfaqësues të 12 qarqeve të vendit përshëndetën Konferencën Kombëtare, duke dhënë mesazhe për nevojën e ndryshimit. Sakaq, u shpërnda programi qeverisës në një broshurë me shtatë shtylla kryesore, duke dhënë esencën kryesore të tij.

Libri i rekomandimeve, hartuar nga fondacioni "Qemal Stafa", iu dorëzua kryetarit të PS-së

Ekspertët e PS prezantojnë

shtyllat e programit qeverisës

Ekspertët e programit qeverisës të Partisë Socialiste shpjeguan dje aspekte të ndryshme të platformës qeverisëse për katër vitet e ardhshme. Arben Malaj, Rudina Seseri, Ditmir Bushati, Ledi Shamku, Besnik Bare, Ervin Bushati, Ilir Beqja etj., folën për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, barazinë, lëvizjen e lirë, bujqësinë dhe mjedisin. Rritje të transparencës, rrugëdalje nga kriza ekonomike dhe bashkëpunim serioz me institucionet ekonomike ndërkombëtare ka garantuar deputeti i PS-së, Arben Malaj, duke prezantuar një nga shtyllat e programit të socialistëve. "Babëzia edhe në këto kushte të ekonomisë, ka qenë një nga arsyet që ka dështuar qeverinë ‘Berisha‘ në ikje", u shpreh Malaj, duke shtuar se përkundër kësaj, socialistët do të kenë vëmendjen maksimale për shqiptarët. "Sfidat tona ekonomike do t‘i përballojmë me bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi ynë me FMN do të nisë më 29 qershor", vijoi ai. Rudina Seseri tha se prioritet do të jetë punësimi, zhvillimi, hapja e vendeve të reja pune dhe lehtësitë për biznesin. "Ndihmë për sipërmarrësit që të përfitojnë nga pozicioni gjeografik i Shqipërisë. Ne do të rrisim cilësinë konkurruese të produkteve shqiptare në tregjet rajonale dhe botërore", nënvizoi ajo. Më tej, Seseri premtoi se nuk do të miratohet asnjë ligj pa u diskutuar me transparencë me grupet interesit. Ditmir Bushati, ekspert për çështjet e integrimit, theksoi se lëvizja pa viza brenda vitit 2010 në hapësirën ‘Shengen‘, shikohet si një mundësi e mirë për studentët, sipërmarrësit shqiptarë dhe gjithë njerëzit, për të shpëtuar nga mundimi i radhëve për marrje vizash dhe historive të refuzimit. Bushati u ndal edhe te marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe më tutje plotësimi i standardeve për anëtarësimin e plotë. Çështja e mundësive të barabarta është prezantuar nga Eglantina Gjermeni. "Mirëqenia e individëve, bashkëjetesa sociale do të arrihen kur individët të largohen nga varfëria dhe përjashtimi social", u shpreh ajo. Gjermeni deklaroi se PS do të ofrojë akses në shërbim, punësim dhe mundësi të mira sociale. Duke u ndalur tek arsimi, Ledi Shamku tha se qeveria e re synon "edukimin e bijve tanë si evropianë". Sa i përket bujqësisë, eksperti i kësaj fushe, Ervin Bushati, premtoi për familjet në fshat, mirëqenie dhe të ardhme të mirë. "Bujqësia nuk ka pasur kurrë përkrahjen e shtetit, ndërkohë që bujqësia jonë do të jetë konkurruese dhe PS ka përparësi bujqësinë", u shpreh ai. Ilir Beqja vuri në dukje se prioritet janë shërbimet më cilësore për nënat dhe fëmijët, shërbimet e sigurta për qytetarët dhe mundësitë për të zgjedhur mes publikut dhe privatit. Barna cilësore dhe çmim të njëjtë me tregjet e vendeve nga vijnë dhe jo më shtrenjtë se ato, janë një tjetër pikë e rëndësishme në programin e shëndetësisë.

Reagimi

Bregu: Programi i

PS, një demagogji

Partia Demokratike e ka vlerësuar demagogji programin e PS-së, të bërë publik dje nga kryetari i kësaj force politike, Edi Rama, në konventën politike të socialistëve. Zëdhënësja e fushatës së PD-së, Majlinda Bregu, në një komunikim me mediat, deklaroi se programi i propozuar nga Edi Rama në konventën e politikës së re ishte thjesht një mashtrim. Bregu theksoi se kryetari i PS-së Rama premtoi se nënat e reja shqiptare do të marrin 1 vit leje lindjeje. Por, theksoi ajo, ky është një standard i vendosur që në vitin ‘93 nga qeveria e PD-së. "Ky premtim i ri, i realizuar tanimë prej 16 vitesh, është ose një premtim bosh e cinik si dhe të tjerat, ose Rama nga viti ‘93 e deri sot nuk di apo nuk e ka haberin se ç‘është familja, nëna, gruaja e sigurisht lindja", u shpreh Bregu. Programi i PS-së është kritikuar edhe nga dy deputetët e tjerë të PD-së, Aldo Bumçi dhe Ferdinand Xhaferri. Ky i fundit tha se "Edi Rama, pasi mbajti të fshehur 1 vit rresht programin e partisë së tij, doli para publikut me një program duke iu premtuar sot shqiptarëve lugën e floririt të Babë Myslymit". Sipas Xhaferrit, Rama u premtoi shqiptarëve se do luftojë korrupsionin dhe si dëshmi për këtë iu paraqiti atyre 30 lejet e dhëna Delijorgjit dhe 59 lejet që ndau me miqtë e tij.

Fjalimi

Meidani "bekon" Ramën për Kryeministër

Rexhep Meidani, një prej figurave kryesore të socialistëve ndër vite shpalli dje në konferencën kombëtare për programin, Edi Ramën si Kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë. I shoqëruar nga duartrokitje, nën thirrjet President Meidani, ai i dorëzoi kreut të PS-së librin e rekomandimeve për programin qeverisës të kësaj partie. Sakaq, ai shprehu bindjen se Rama ka vizionin e duhur që të udhëheqë të majtën drejt fitores së zgjedhjeve.

"Besoj te Partia Socialiste dhe Edi Rama, të cilët do na çojnë në rrugën e fitores. PS-ja është më shumë se një parti politike", konstatoi Meidani, duke kujtuar punën e madhe që është bërë për hartimin e të parit program, fryt i punës së ekspertëve të fondacionit "Qemal Stafa" dhe dialogut me popullin. Ai renditi pikat e programit që do të sjellin vende të reja pune, lehtësira dhe mundësi të mëdha për zhvillimin e vendit. "Kemi konsultuar më shumë se 400 ekspertë në fusha të ndryshme. Si rezultat i konsultimeve kemi një kopje të librit të rekomandimeve ku është kontributi i ekspertëve, të cilat dua t‘i falënderoj me radhë", u shpreh Meidani, duke i dhënë fjalën Ramës. Një tjetër personazh me peshë në Partinë Socialiste, Servet Pëllumbi, mori pjesë në konferencën e programit qeverisës duke qenë gjatë gjithë kohës përkrah anëtarëve të kryesisë si Pandeli Majko, Gramoz Ruçi, anëtares së Asamblesë Kombëtare, Luiza Xhuvani etj. Çështja e kandidaturës së Ramës për Kryeministër në rast se PS fiton zgjedhjet është artikuluar më parë nga zyrtarë të tjerë të selisë rozë si Kastriot Islami. Para se vetë Rama ta pranonte dje publikisht, ai mori "bekimin" e Meidanit, ish-rivalit të tij për kryetar partie në kongresin e tetorit të vitit 2005. Sakaq, në fillimin e fjalimit të tij, Rama ia dedikoi Meidanit. "Falënderoj Presidentin Meidani për prezantimin e ngrohtë që më bëri dhe për librin e rëndë që më la në dorë. Ky libër shton peshën e përgjegjësisë që do të marrim më 28 qershor për ta qeverisur ndryshe atdheun tonë", tha ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›