E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha premton kthimin e trurit në vend

Programi Brain Gain ka certifikuar 73 intelektualët e parë që kanë përfunduar masterin jashtë vendit
Kryeministri Berisha e ka cilësuar jetik për kombin programin Brain Gain, i cili ka certifikuar 73 intelektualët e parë, që kanë përfunduar masterin jashtë vendit dhe janë rikthyer për të punuar në administratën shtetërore. Për kryeministrin Berisha, kthimi i trurit në Shqipëri është një nga prioritete e ekzekutivit edhe pse numri 73 që i është përgjigjur kësaj thirrje është vetëm një hap i parë, ku ndër të tjera deklaroi se arsimi do të vazhdojë të jetë një prioritet për qeverisjen e tij, nëse shqiptarët e rimandatojnë sërish atë në 28 qershor. Konkretizon rezultatin e suksesshëm të rikthimit në vend të trurit të këtij kombi dhe përkushtimin ndaj këtij vendi për zhvillimin e tij. Fakti që një kontingjent prej 73 intelektualë dhe studiues i përgjigjen këtij programi është jashtëzakonisht pozitiv, u shpreh ai. Duke lënë të kuptohet se të talentuarit dhe të diplomuarit që do të kthehen në Shqipëri do të zënë vendet asaj pjesë të administratës që nuk është e kualifikuar sa duhet, Berisha tha se një nismë e tillë duhet të gjejë mbështetje edhe nga Universitetet private dhe publike që ri hapin dyert të kësaj kategorie. Mbetem i bindur se universitetet janë dhe duhet të mbeten qendra kryesore të ftesës të përfshirjes të të gjithë atyre që fitojnë në këtë program, sikurse ju siguroj se administrata ka nevojë të jashtëzakonshme për ju dhe do të mbetet gjithnjë e hapur dhe shumë e hapur. Ky program shënon sot suksesin e parë, por një thirrje do t`ua bëja të gjithë universiteteve publike dhe private ta përparësojnë atë dhe dua t`i garantoj se qeveria nuk do të diferencojë përsa i përket këtij programi, do të ketë qëllim të njëjtë ndaj tyre dhe intensifikimi e suksesi i këtij procesi do të jetë një faktor i madh në procesin e bashkërendimit të zhvillimit të vendit, u shpreh kreu i qeverisë. Duke përmendur fondin e ekselencës  me të cilin qeveria mbështet çdo studiues që dëshiron të mbrojë doktoraturën apo masterin në universitet e mirëkuotuara të Perëndimit, kreu i qeverisë theksoi se çdo atribut i këtij programi duhet të shtrihet njëlloj në të gjitha universitetet. Kjo përbën një mundësi të  madhe për të gjithë universitetet publike dhe private që të konkurrojnë për këtë fond, është absolutisht pa limit. Në rast se sot është 1 milion, për fat të keq kërkesa është nën të, por në qoftë se kërkesa do të jetë tre milionë ai do të jetë 3 milionë, në qoftë se kërkesa do të jetë 5 milionë, ai do të bëhet 5 milionë, sikundër ne inkurajojmë studentët tuaj të aplikojnë për studime në dhjetë universitetet më të mira të botës. Secili prej tij ne do t`i paguajmë bursën natyrisht kundrejt një kontrate për t`u rikthyer në vendin e tij, theksoi kreu i qeverisë. Duke përshëndetur këtë ceremoni, znj. Kori Udovicki, zv.administratore e PNUD-it dhe drejtoreshë rajonale për Europën u shpreh se në gjithë vendet e rajonit të Europës Lindore ku është zbatuar ky program, ai është dëshmuar shumë i suksesshëm në zhvillimin e vendit, ku në këtë fazë, sipas saj kërkohet jo vetëm mbështetje për të lehtësuar thithjen e trurit, por edhe krijimi i një balancimi kulturor mes atyre që janë këtu dhe atyre që kthehen. Ndërsa Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja deklaroi se qeveria shqiptare ka bërë gjithë përpjekjet që të krijojë një klimë të përshtatshme për ata të diplomuar jashtë vendit që kthehen dhe punojnë në Shqipëri. Programi Brain Gainpërfaqëson një nismë të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare, mbështetur nga Programi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD. Ai synon të identifikojë dhe nxisë kthimin e të talentuarve në diasporën shqiptare pranë institucioneve publike, institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencës dhe sektorit privat. Vetëm gjatë vitit që kaloi qeveria shqiptare akordoi 950 vende të reja pune për institucionet e arsimit të lartë dhe shkencës për të përballuar dyfishimin e numrit të studentëve nëpër universitete si dhe rekrutimin pranë Katedrave Akademike të të rinjve të talentuar që kanë përfunduar studimet pasuniversitare jashtë vendit.

Last Updated on Saturday, 28 March 2009 11:47

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›