PD: Zhurma e zhurmëtarëve të Ramës, tregon panikun e zgjedhjeve
Partia Demokratike hedh poshtë deklaratën e Taulant Ballës, i cili duke iu referuar raportit të Ministrisë së Jashtme Britanike tha se, korrupsioni mbetet një çështje serioze në Shqipëri dhe përfaqëson një nga pengesat më serioze për të drejtat e njeriut. Mr 15%, nxori njërin prej tellallëve të tij për të trilluar dhe mashtruar sërish për Shqipërinë dhe arritjet e Shqipërisë, ka theksuar zëdhënësi Bogdani gjatë një deklarate për shtyp.
Partia Demokratike gjykon se, suksesi i Shqipërisë dhe reformave të vendit, merr dhe ka marrë vlerësimin më kulmor me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit nga Parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Nëpërmjet kësaj deklarate, Bogdani pohoi se, suksesi i Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit është konfirmuar nga institucionet më serioze të botës, të cilat shpallen qeverinë shqiptare kampion në luftën ndaj korrupsionit, dhe e renditen vendin tonë në 10 vendet më të suksesshme të botës. Zhurma që bëjnë zhurmëtarët e z. Rama tregon panikun e madh elektoral të tyre për 28 qershorin që po afron, dhe faktin se e shohin të qartë dhe të sigurt mandatin e dytë të kësaj qeverie, përfundoi ai.