E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha premton në Kukës ndihmën e qeverisë për ndërtimin e pallateve për strehim



Në kuadër të turit të tij në të gjithë Shqipërinë, kryeministri Berisha është ndalur dje në qytetin e Kukësit, ku mori pjesë në një sërë përurimesh. Gjatë një takimi me banorët e këtij qyteti Berisha premtoi ndihmën e qeverisë për të plotësuar nevojat për strehim të qytetarëve. “Është koha kur kuksjanët duhet të shfrytëzojnë pasuritë e tyre, si burimet hidrike, ashtu edhe ato minerare. Rruga e re që po ndërtohet e bën Kukësin një epiqendër dhe i jep një perspektivë zhvillimi realisht të re”, - është shprehur Berisha, ndërsa vlerësoi investimin prej 30 milionë lekësh për rikonstruksionin e pallateve, sikundër theksoi premtimin që i ka bërë kryetarit të Bashkisë së qytetit për ndërtimin e një pallati që të plotësojë kërkesat për strehim që kanë banorët e qytetit. “Në Kukës ka probleme për strehimin dhe ne jemi të gatshëm për përballimin e tyre”, - është shprehur Berisha. Gjatë vizitës në Kukës Berisha mori pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve në bulevardin e qytetit të Kukësit, një qytet që shtrihet në pjesën verilindore të Shqipërisë, rreth 220 km larg Tiranës. Kryeministri Berisha vlerësoi investimin, të cilin e cilësoi modern dhe europian. Berisha gjithashtu inspektoi punimet në rrugën “Rrëshen-Kalimash”, segmenti i tretë, të kryer nga kompania “Bechtel Enka” në lartësinë 800 metra mbi nivelin e detit. Në këtë segment kanë përfunduar rreth 80 për qind e gërmimeve dhe e mbushjeve, ndërkohë që llogaritet se është hapur 7 km nga tuneli në rrugën nacionale. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, vlerësoi ritmet e shpejta me të cilat ka punuar firma ndërtuese.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›