E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Në seancë do të votohen dekretet, jo raporti i Komisionit të Ligjeve”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka bërë të ditur dje se në seancën parlamentare nuk do të votohet raporti i Komisionit të Ligjeve për procedurën e ndjekur nga presidenti për dekretimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por dekretet e presidentit. Një deklaratë e tillë e Topallit nënkupton tërheqjen e maxhorancës nga qëndrimi për të bllokuar në Kuvend të pesë dekretet e presidentit, duke mos i votuar ato nominalisht me votim të fshehtë, por duke votuar raportin e Komisionit të Ligjeve, i cili e cilësoi antikushtetuese procedurën e ndjekur nga Topi për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të votohen në seancën e ditës së enjte, më 19 qershor, me votim të fshehtë. Asnjëherë nuk është thënë se do të votohet raporti i Komisionit të Ligjeve për këtë çështje. Raporti është një dokument parlamentar që u dorëzohet dhe shpërndahet të gjithë deputetëve e institucioneve, meqë jemi në rastin e një problemi që ekziston tashmë, të cilin Parlamenti duhet ta zgjidhë, pavarësisht nga një mospërputhje apo anashkalim që u është bërë ligjeve ekzistuese”, - është shprehur Topalli. Në përgjigje të kërkesës së Partisë Socialiste për të dërguar në Kuvend një projektligj për rregullimin e funksionimit të institucionit të Presidentit të Republikës, Topalli u shpreh hapur për një nismë të tillë. Ajo tha se Partia Socialiste mund ta sjellë nismën për një ligj për presidentin dhe Kuvendi do të jetë i hapur për ta diskutuar. Topalli gjithashtu theksoi se dekretet për emërimet e anëtarëve të institucioneve të rëndësishme të shtetit duhet të diskutohen dhe të konsultohen më parë me Kuvendin dhe kjo praktikë duhet të vendoset si rregull. Një deklaratë të tillë Topalli e mbajti në përfundim të një aktiviteti të organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan për Punët e Jashtme. Në fjalën e saj në këtë aktivitet Topalli theksoi se në Shqipëri duhet të flitet më shumë për rolin e gruas në shoqëri dhe në politikë, pasi gratë, sipas saj, kanë kurajë të denoncojnë të gabuarën dhe të mbrojnë të drejtën.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›