Liderët e Rinj: Të rritet përfaqësimi në parlament i të rinjve
Shoqata e Atlantikut për Drejtuesit e Rinj Politikë zhvilloi takimin e saj të radhës në Beograd gjatë datave 11-13 qershor. Në këtë takim merrnin pjesë mbi 50 politikanë të rinj nga Europa, Amerika, Kanadaja. Delegacioni nga Shqipëria përfaqësohej nga Dorian Duçka (LSI), i cili është dhe koordinatori i këtij networku në Shqipëri, Ajola Xoxa (PS), Romina Gjata (PR) dhe Elton Beqiraj (LSI). Shoqata e Atlantikut për Drejtuesit e Rinj Politikë, gjatë takimit debatoi dhe diskutoi për përfshirjen e sa më shumë të rinjve në politikë. Një nga idetë e diskutuara, që u mbështet dhe nga përfaqësuesit shqiptarë, ishte ajo e rritjes së nivelit të përfaqësimit të politikanëve të rinj në listat për kandidatët për deputetë, ku kjo iniciative do të sjellë një përfaqësim më legjitim të rinisë në parlamentet respektive.
PS: Bllokimi i Gjykatës së Lartë ka lidhje me pengimin e hetimeve për Gërdecin
Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha se është përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë për zvarritjen e hetimeve dhe mbylljen e çështjes së Gërdecit. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se tentativa e kryeministrit për të pushtuar Gjykatën e Lartë ka lidhje me përpjekjet e tij për të mbyllur hetimet për Gërdecin. “Hetimi, gjykimi, ndëshkimi për krimin shtetëror të Gërdecit dhe bllokimin e më pas pushtimi politik i Gjykatës së Lartë janë dy çështje të lidhura fort me njëra-tjetrën. Ne vazhdojmë ta konsiderojmë këtë të papranueshme dhe të kërkojmë me forcë futjen në rend të ditës së hënë të dekreteve të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Përpjekja për të anashkaluar këto dy çështje, lindur nga vetë nevoja politike e penale e Sali Berishës për pafajësi politike nga krimi shtetëror tejet i ndërkombëtarizuar i Gërdecit, po fut në krizë institucionet, Drejtësinë, Kuvendin, por mbi të gjitha maxhorancën”, - tha Braçe.
16 Qershor 2008