E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi: “Rigradimi, ja kush do të largohet nga Policia”



Laureta Rryçi

Tiranë - Punonjësit e Policisë së Shtetit brenda pak ditësh do të mësojnë nëse do të jenë më pjesë e uniformave blu. Kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, deklaroi dje se tashmë procesi ka përfunduar në letër mbetet vetëm për t’u zbatuar. Madje numri një i Policisë shpjegoi se jo të gjithë do të vazhdojnë në detyrat që kanë. Sipas tij, për një pjesë është konstatuar mungesa e eksperiencës sipas gradës. Në të njëjtën kohë Prençi bëri publik procesin që është ndjekur deri ditën kur Këshilli i Ministrave vendosi që Policia e Shtetit të kalonte në një sistem të ri gradash. Kreu i Policisë nuk ka dashur të flasë më sektorë konkretisht që do të preken nga reforma e gradave, por është munduar të mos përhapë panik duke thënë se shifra e personave që do t’u duhet të lënë punën nuk është e lartë.
Procesi
Kalimi në sistemin e ri të gradave, që duhej të përfundonte brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe afati maksimal ishte data 11 qershor 2008, tashmë është realizuar dhe ndodhemi në fazën e shpërndarjes së tyre. Ky proces ndryshimi, me të cilin është njohur çdo punonjës policie, realizohet në zbatim të Ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit“ dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave “Mbi përcaktimin e pozicioneve korresponduese sipas gradave në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre”. Këto akte janë botuar nga Qendra e Publikimeve Zyrtare në Fletoren Zyrtare si dhe në faqen e internetit të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, në përmbushje të detyrimeve institucionale, kopje të këtyre akteve, të shoqëruara me komentet dhe udhëzimet përkatëse, u janë shpërndarë të gjitha strukturave të Policisë në mënyrë që çdo punonjës policie të njihet plotësisht me këto akte dhe me ndryshimet që do të sjellë zbatimi i këtyre akteve. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë marrë masa të plota teknike-organizative dhe procedurale, duke filluar me ngritjen pranë çdo strukture policore të komisioneve kalimtare e deri te përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm dhe formularëve përkatës. Fazat kryesore në përgatitjen dhe zhvillimin e këtij procesi që do të finalizojë një strukture moderne dhe efektive të gradave në Polici, janë realizuar në konsultim të gjerë dhe me debate brenda strukturave të Policisë dhe komisioneve kalimtare respektive.
Janë hartuar të gjitha aktet administrative, të cilat specifikojnë me hollësi rregullat dhe procedurat që janë ndjekur për dhënien e gradave të reja, afatet kohore, strukturat përgjegjëse si dhe mënyrat për marrjen e vendimeve sa më të sakta për lëvizjen e personelit nga grada në gradë.
Njohja
Çdo punonjës policie, si në struktura qendrore, ashtu dhe në ato vendore, është njohur me përllogaritjen e bërë në përcaktimin e vjetërsisë së shërbimit si dhe i është dhënë mundësia e korrigjimit të gabimeve dhe të pasaktësive në lidhje me këto përllogaritje. Në përfundim të këtij procesi përllogaritës çdo punonjës policie ka marrë informacion të plotë për rolin, gradën dhe funksionin që i takon në zbatim të këtij legjislacioni.
Sipas Prençit, procesi i kalimit në sistemin e ri të gradave nuk nënkupton ulje të numrit të përgjithshëm të punonjësve të Policisë, por synon zbatimin në mënyrë korrekte me sistemin e ri të gradave në Policinë e Shtetit. “Në këtë proces, i cili përfshin rreth 9700 punonjës policie, janë identifikuar një numër punonjës që nuk përmbushën kërkesat e vjetërsisë për gradë, si në strukturat me uniformë në polici, ashtu dhe në strukturat që kryejnë shërbime mbështetëse”, - tregoi Premçi. Ndërkohë që shumica e këtyre punonjësve përmbushin kriteret për të vazhduar shërbimin në Policinë e Shtetit në funksione me grada më të ulëta, në përshtatje me aftësitë dhe përvojën e tyre. Po merren të gjitha masat e nevojshme për transferimin e këtyre punonjësve për të qëndruar në shërbim në pozicione të tjera, të përshtatshme për gradën që përfitojnë. Këta punonjës që nuk i përmbushin kriteret i përkasin kategorisë së punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, të cilët për mosplotësim të kritereve ligjore, nuk do të mund të vazhdojnë të shërbejnë në Policinë e Shtetit.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›