E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, deputetët e PD-së, asnjë kërkesë për interpelancë me ministrat

Në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së, kritika për ministrat e qeverisë “Berisha”. Gjatë tre viteve qeverisje, llogaridhënia e ministrave në Kuvend, shumë e ulët

Eljona Ballhysa

Deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë dërguar në Kuvend asnjë kërkesë për zhvillimin e një interpelance me ministrat e qeverisë. Pavarësisht kërkesës për analizë qeverie, por dhe kritikat që herë pas here kanë ardhur nga zëra brenda Grupit Parlamentar të PD-së, asnjë nga deputetët e kësaj partie nuk ka thërritur ministrat për të dhënë llogari në Kuvend për punën e bërë prej tyre.
Kërkesat e PD-së
Në arkivat e Kuvendit të Shqipërisë, të paktën nga muaji janar i këtij viti, deri në muajin qershor, nuk është regjistruar asnjë kërkesë e deputetëve të PD-së për të thërritur në interpelancë ministrat e kabinetit qeveritar. Çuditërisht nuk është regjistruar asnjë kërkesë edhe nga deputeti i zonës së Vorës, Astrit Patozi, për tragjedinë e ndodhur në Gërdec, ku humbën jetën rreth 26 persona dhe qindra të tjerë mbetën të vdekur. Janë të paktën tre ministra, si ai i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm, por dhe ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale, që mund të kishin referuar në Kuvend për ngjarjen e Gërdecit. Ndërkohë që në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së shpeshherë deputetët kanë shfaqur pakënaqësi nga ministra të ndryshëm. Kështu, në mbledhjet e Grupit Parlamentar demokratët kanë shprehur kritika për ndarjen e fondeve nga qeveria për investime publike në zonat e tyre elektorale, por pavarësisht ankesave duket se deputetët janë bindur me përgjigjet që kanë marrë nga kreu i Ekzekutivit. Askush prej tyre s’ka ndërmarrë nismën për të kërkuar një informacion shtesë nga ministri i linjës, në rastin konkret ministri i Financave, Ridvan Bode. Po kështu, kritika ka pasur dhe për ministrin e Arsimit, për mënyrën e realizimit të reformës në këtë sektor, por edhe Genc Pollo nuk është thërritur asnjëherë të raportojë në Kuvend për punën e bërë nga kjo ministri për menaxhimin e Maturës Shtetërore. Në mbledhjen e grupit deputetët jo rrallëherë kanë debatuar për çështje që kanë lidhje me pronën apo ndarjen tokës, taksën për tokën bujqësore të lënë djerrë etj. Madje dhe vetë kreu i qeverisë shpeshherë ka ngritur si çështje nevojën e vendosjes së një takse për tokën e lënë djerrë, ndërkohë që ministri i linjës nuk ka dhënë asnjë sqarim për këto kërkesa.
Kërkesat e PS-së
E kundërta ndodh me kampin opozitar. Deputetët e Partisë Socialiste kanë organizuar një projekt për të thirrur në interpelancë ministrat dhe kryeministrin. Por çuditërisht asnjë nga ministrat nuk i është përgjigjur kërkesës së opozitës. Madje dhe vetë kryeministri, i cili është thirrur nga opozita në interpelancë për ngjarjen e Gërdecit, ka kohë që vazhdon t’i shmanget kësaj kërkese duke mos u paraqitur në seancë parlamentare.

Lista e interpelancave të kërkuara nga PS-ja
Interpelanca me kryeministrin
1-Për procedurat e prokurimit publik dhe prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike
Deputeti kërkues: Blendi Klosi
2-Për mungesën e financimit për projektet në vijim që prej vitit 2005 në zonat elektorale të deputetëve socialistë
Deputeti kërkues: Alfred Dalipi
3-Për rritjen tragjike të vetëvrasjeve si shprehje ekstreme e mospërballimit të problemeve të rënda sociale si rrjedhojë e varfërisë ekstreme
Deputeti kërkues: Erion Braçe
4-Për deformimin e parimeve të ekonomisë së tregut përmes instalimit të sistemit të çmimeve referuese në të gjitha transaksionet tregtare, së fundi dhe në ato pronësore, veçanërisht në fshat.
Deputeti kërkues: Andis Harasani

Interpelanca me zëvendëskryeministrin
1-Për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ligjin “Për pensionet suplementare të ushtarakëve në rezervë”
Deputeti kërkues: Arben Malaj
2-Për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ligjin “Për strehimin e familjeve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve”
Deputeti kërkues: Erion Braçe
3-Për zvarritjen e procedurave të privatizimit të një sërë ndërmarrjesh strategjike të shpallura nga qeveria, si KESH, ARMO, INSIG etj.
Deputeti kërkues: Arben Malaj

Interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës
1-Për çmimin e ri të energjisë elektrike si dhe planet e qeverisë për të liberalizuar tregun e energjisë elektrike
Deputeti kërkues: Ermelinda Meksi
2-Për rritjen e çmimit të naftës dhe mungesën e politikave qeveritare, kryesisht fiskale, për frenimin e kësaj rritjeje në tregun vendas si dhe planet e qeverisë për vitin në vijim lidhur me akcizat e naftës
Deputeti kërkues: Shpëtim Idrizi

Interpelanca me ministrin e Drejtësisë
1-Për bllokimin e procedurave të regjistrimit të tokave bujqësore, veçanërisht në zonat bregdetare të përfituara përmes ligjeve në fuqi, si dhe dhënia e kompetencës Këshillit të Qarkut për heqjen e titullit të pronësisë

Me ministrin e Arsimit
Për dështimin e politikës qeverisëse të subvencionimit të çmimeve të librave në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, për të dytin vit rresht.
Deputeti kërkues: Marko Bello dhe Alfred Dalipi

Me ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale
Për nivelin e lartë të pandryshueshëm të papunësisë në vend.
Deputeti kërkues: Musa Ulqini
Për mosrespektimin e ligjeve në fuqi lidhur me masën e pagesës së ndihmës ekonomike dhe pagesën e papunësisë

Me ministrin e Bujqësisë
Për përgatitjen dhe nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, për rimbursimin e TVSH-së në shitje për produktet bujqësore.
Interpelancë me ministrin e Brendshëm
Për decentralizimin e administrimit të ujësjellësve e furnizimit me ujë të pijshëm.
Deputeti kërkues: Bashkim Fino

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›