Shërbimet e reja që do të përfshihen në strukturën e Policisë
Aktualisht, Policia e Shtetit po fillon një proces ambicioz, por jetësor, atë të përmirësimit të shërbimeve mbështetëse brenda organizatës. Faza planifikuese ka filluar me prezantimin e posteve të reja për stafin civil, duke mundësuar që punonjësit e Policisë me uniformë, sidomos ata të nivelit ekzekutiv dhe të nivelit të parë drejtues, të përqendrohen në policimin operacional. Programi për kthimin e disa funksioneve policore në funksione të shërbimeve mbështetëse do të bëjë të mundur të tërheqë dhe të mbajë personelin me aftësi të veçanta profesionale, të cilët do të kontribuojnë në ofrimin e një sigurie sa më të mirë për publikun. Ky program do ta bëjë policinë më efikase dhe më profesionale. Në këtë kuadër kemi ngritur një grup pune, i cili, pas studimit të gjendjes në këta sektorë mbështetës, do të bëjë rekomandimet e nevojshme për kthimin nga funksione policore në funksione të shërbimeve mbështetëse për rreth 1000 funksioneve brenda Policisë së Shtetit. Gjithashtu, ky grup pune po shqyrton skemat efikase të pagave dhe shpërblimit të punonjësve të funksioneve mbështetëse, duke marrë në konsideratë nevojën për të tërhequr dhe punësuar si punonjës mbështetës individë të specializuar dhe me përvojë për të mbështetur luftën kundër krimit.
Problemi
Që nga 11 dhjetori 2007, që ka hyrë në fuqi Vendimi nr. 803, datë 21.11.2007, Policia e Shtetit mban në objektet e uniformës së tyre si mbi supe (grada të mëdha) dhe në gjoks (gradat e vogla të shërbimit), të shfuqizuara. Dhe aq më tepër se, si në nenin 36 “Gradat” të Ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, ashtu dhe në VKM nr. 803 datë 21.11.2007, nuk parashikohet emërtimi i gradave të rolit bazë (të ulët) si agjent, agjent i parë, asistent, asistent i parë dhe kryeasistent. Rreth 6000 punonjës policie mbajnë mbi supe e në gjoks këto lloj gradash, tashmë të shfuqizuar që nga dhjetori i vitit 2007. Një gradë e tillë, por dhe gradat e roleve të tjera (të mesme, të lartë, madhore), detyrimisht pasohen me shfuqizimin e shenjës së gjoksit, sepse ajo përfaqësohet me elementë të gradës për të katër rolet të miratuara me VKM nr. 638, datë 21.11.2001. (Një shenjë që tingëllon më cilësore, më profesionale e aktualisht më e arrirë).
Masat
Në pikën 4 të Vendimit nr. 803, datë 21.11.2007 “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuvalentimin e tyre” përcaktohet se: Ministri i Brendshëm merr masa për përfundimin e procesit të kalimit në sistemin e ri të gradave, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 126 të ligjit dhe në këtë vendim, brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Gradat e reja
Kalimi në sistemin e ri të gradave është ngjarje e shënuar. Në këtë eveniment të rëndësishëm, pikërisht më 11 qershor 2007, lind pyetja: Policia e Shtetit a do të ketë të vendosur mbi supe e në gjoks, formë dhe ndërtim grade sipas nenit 38 (paraqitja e gradave) të Ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”? Ky ligj shprehet se: Paraqitja, forma dhe ndërtimi i gradave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave pas zhvillimit të një procesi konkurrimi për dizenjimin e tyre (kohë e mjaftueshme për të realizuar këtë proces) apo do të ketë dy herë shfuqizim të VKM nr. 64 datë 02.02.2001 “Për inkuadrimin e gradave ushtarake, në gradat e Policisë së Shtetit dhe përcaktimin e funksioneve që do të ushtrohen sipas tyre”, të ndryshuar dhe që nuk zbatohet për punonjësit e Policisë së Shtetit. (Pika 6 e vendimit të KM nr. 803 datë 21.11.2007).
16 Qershor 2008