Berisha premton në Laç rritjen e grantit për qeverisjen vendore vitin e ardhshëm
Kryeministri Sali Berisha, në vijim të turit të tij në të gjithë Shqipërinë, është ndalur dje në qytetin e Laçit, në rrethin e Kurbinit. Gjatë fjalës së mbajtur gjatë përurimit të ndërtesës së Komunës Fushë Kuqe, Berisha premtoi rritjen e grantit për pushtetin vendor vitin e ardhshëm. “Krahas investimeve qeveria ka mbajtur dhe një tjetër premtim, atë të shumëfishimit të buxhetit për qeveritë vendore. Tre vjet më parë ne deklaruam se do të shumëfishojmë grantin dhe buxhetin për qeveritë vendore, dhe e kemi bërë këtë. Ne garantojmë se mandatin tjetër granti për qeveritë vendore do të jetë shumë më i madh së tani”, - u shpreh kryeministri. Gjatë vizitës së djeshme Berisha mori pjesë në meshën e mbajtur me rastin e ditës së Shna Ndout. Duke përshëndetur pelegrinët dhe besimtarët e pranishëm në meshë, kryeministri u uroi atyre ditën e shënuar të Shna Ndout dhe shprehu kënaqësinë që ndodhej mes tyre për të festuar këtë ditë. “Ju uroj këtë ditë të shënuar të Shna Ndout dhe shpreh kënaqësinë që jam sot me ju për ta festuar së bashku këtë ditë. Shpreh besimin dhe shpresën se shpirti, ana më fisnike e njeriut, do të shndërrohet gjithnjë e më shumë në mirësi për ju dhe gjithë shqiptarët”, - është shprehur kryeministri Berisha. Gjatë vizitës së tij, Berisha përuroi dhe rrugën e Kishës së Shna Ndout, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 127 milionë lekë. “Rruga që përuruam lehtëson lëvizjet e pelegrinëve dhe ndjek rrugën që ka ndjekur Shna Ndou në udhëtimin e tij të vështirë në viset ilirike”, - u shpreh kryeministri Berisha. Gjatë vizitës në qytetin e Laçit, kryeministri Berisha përuroi përfundimin e rrugës që lidh këtë qytet me autostradën Milot-Tiranë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 196 milionë lekë. Kryeministri Berisha u shpreh, gjatë ceremonisë, se ndërtimi i kësaj rruge është një tjetër investim dhe premtim i mbajtur i qeverisë. “Përuruam rrugën që lidh qytetin e Laçit me autostradën Milot-Tiranë, një investim 196 milionë lekë. Ky është një tjetër investim dhe premtim i mbajtur i qeverisë time”, - u shpreh kryeministri. Rruga që lidh Laçin me autostradën është njëkohësisht segment i rrugës Laç-Patok në ndërtim, ku janë ndërtuar 1.5 kilometrat e parë të saj. “Dua t’ju informoj se po punohet në rrugën drejt plazhit të Patokut. Janë ndërtuar rreth 1.5 kilometrat e parë të saj, ndërsa pjesa tjetër është në projektim dhe brenda vitit që vjen kjo rrugë shkon deri në plazhin e Patokut, një nga zonat më të bukura të bregdetit të Adriatikut”, - premtoi Berisha.
14 Qershor 2008