Oketa në Bruksel kërkon mbështetje për shkatërrimin e armëve në Shqipëri
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka marrë pjesë dje në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe kontribuuese në KFOR. Gjatë vizitës së tij në Bruksel Oketa u takua me përfaqësues të Organizatës për Furnizim dhe Mbështetje të NATO-s, të cilët i bënë atij një prezantim të projekteve dhe mundësive që ajo ofron në bashkëpunimin me Shqipërinë dhe veçanërisht përsa i takon shkatërrimit të municioneve të tepërta. Ministri Oketa, gjatë fjalës së tij, vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me NAMSA, si dhe kontributin e dhënë prej saj në realizimin e dy projekteve të rëndësishme për shkatërrimin e armatimeve dhe municioneve të tepërta, si minat dhe armët e vogla e të lehta. Oketa gjithashtu shprehu angazhimin e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për të vazhduar këtë proces dhe kërkoi asistencën e NAMSA për të vazhduar punën në realizimin e objektivit kryesor që ka Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë për shkatërrimin e municioneve të tepërta. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, pati takime të veçanta me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Shefer, me ministrin e Mbrojtjes të Belgjikës Pieter De Crem, me ministrin e Mbrojtjes të Rumanisë, Teodor Melescanu, me ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Jung, si dhe me homologë të tjerë të vendeve anëtare të Aleancës.
14 Qershor 2008