E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret Jagland Presidenca e KiE shenje per demokracine

Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thobjorn Jagland, ka vlerësuar marrjen e presidencës së këtij organizmi tejet të rëndësishëm, si një moment historik për Shqipërinë e shqiptarët. Ky moment, sipas kreut të qeverisë përbën një simbolikë të veçantë pasi dëshmon ndryshimin rrënjësor që Shqipëria dhe demokracia e saj e re, por funksionale ka arritur. Nga ana e tij, zoti Jagland, uroi kryeministrit Berisha për sukses të plotë në kryesimin e radhës së Komitetit të Ministrave të KE, duke shprehur vlerësimin dhe përgëzimet për punën e rëndësishme të bërë nga qeveria shqiptare, e cila përputhet plotësisht me misionin dhe prioritet e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme mbarë evropiane.

Kryeministri Berisha ka vlerësuar këtë moment historik në deklaratën e tij gjatë seancës plenare.

Ndër prioritetet e kryesisë shqiptare të radhës së Këshillit të Europës, vend të veçantë zënë të rinjtë dhe roli i tyre në proceset demokratike dhe integruese. Vëmendja do të shkojë drejt fuqizimit të dialogut me rajonet fqinjë, në veçanti me vendet e të ashtëquajturës pranvera arabe, duke ndarë me to përvojat dhe modelet e suksesshme të Këshillit të Evropës. Të tjera prioritete përfshijnë vazhdimësinë e reformave të iniciuara nga presidencat mëparshme. Një vend të veçantë në prioritetet e presidencës së Shqipërisë zë edhe Ballkani Perëndimor, si edhe konsolidimi i mëtejshëm i vlerave mbi të cilat bazohet kjo organizatë në këtë rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›