E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret Menduh Thacin Nacionalizmi pengon perparimin

Kryeministri Berisha priti sot Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.
Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Maqedoni. Kryeministri theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka implementimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit, si kusht themelor për stabilitetin dhe bashkëjetesën për ta zhvilluar këtë vend si një shoqëri multietnike. Duke u ndalur në ngjarjet e fundit atje, në takim u ripohua qëndrimi në mbështetje të plotë të të gjitha përpjekjeve për zbardhjen e krimit të 5- fishtë dhe vendosjen e autorit apo autorëve të tij para drejtësisë. Por gjithashtu u theksua edhe një herë shqetësimi se çdo lloj përpjekjeje dhe spekulimi, duke i veshur këtij krimi të shëmtuar shkaqe etnike apo të tjera, nuk i shërben aspak paqes e stabilitetit dhe një shoqërie të vërtetë multietnike, e cila ka si objektiv madhor integrimet euroatlantike.
”Çdo lloj fryrje e fibrës nacionaliste maqedonase nuk kontribuon në asnjë zgjidhje të situatës dhe ecjen përpara me këto objektiva madhore”- u theksua në takim. Kryeministri Berisha vlerësoi rolin konstruktiv të forcave politike shqiptare në Maqedoni, në shërbim të qetësimit të situatës dhe promovimit të bashkëpunimit mes komuniteteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›