E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret Nemeth:Të vendosur për statusin, do përmbyllim reformat

Kryeministri Berisha priti sot, Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, zotin Zsolt Nemeth dhe delegacionin që e shoqëronte.

Kryeministri i uroi mirëseardhjen zotit Nemeth dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë jo vetëm në themelimin dhe konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë, por dhe në demokratizimin, anëtarësimin në NATO dhe në procesin e integrimit europian. Kryeministri Berisha e vlerësoi bashkëpunimin dypalësh si të shkëlqyer në të gjitha fushat dhe vuri theksin te nevoja për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe të investimeve. Në këtë kuadër, Kryeministri nënvizoi mundësitë e mëdha që Shqipëria paraqet për investitorët hungarezë.

Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit Nemeth, pasi vlerësoi ndryshimet në Shqipëri, nënvizoi rolin transformues demokratik që forcat politike të udhëhequra nga Kryeministri Orban dhe Kryeministri Berisha kanë luajtur në të dy vendet, pas rënies së diktaturave komuniste. Zoti Nemeth siguroi se Hungaria është mbështetëse e palëkundur e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe se Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e saj, në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha e cilësoi integrimin europian si prioritetin kryesor të vendit dhe shprehu vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar dhe përmbyllur të gjitha reformat e nevojshme në këtë drejtim.

Në këtë kuadër, Kryeministri e njohu zotin Nemeth me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kryeministri u shpreh se mazhoranca ka propozuar kandidaturë me cilësi shumë të larta për arritjen e konsensusit dhe siguroi se procesi do të vazhdojë drejt përmbushjes së qëllimit kushtetues, në përputhje të plotë me frymën dhe germën e Kushtetutës.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet në rajon, nevojën për të bërë përpjekjet maksimale për stabilitetin dhe paqen e tij, si parakusht për prosperitetin dhe integrimin e rajonit. Bashkëbiseduesit theksuan se minorancat etnike në Ballkan janë ura që duhet t`i bashkojnë vendet e rajonit dhe duhet punuar për konsolidimin e të drejtave të tyre, në kuadër të respektimit të kufijve ekzistues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›