E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Lyrval: Proçes gjithëpërfshirës për Presidentin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot një takim pune me Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Bjërn Lyrval, i cili shoqërohej nga Ambasadori suedez, Lars Vahlund, dhe nga i ngarkuari me Punë në Shqipëri, Patrik Svenson dhe Xheni Loven e MPJ-së të Suedisë.

Presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve politike midis dy vendeve tona mike dhe partnere dhe nënvizoi vullnetin dhe gatishmërinë për rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, në fusha me interes reciprok. Duke bërë një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve në vend, Presidenti Topi theksoi se “reformat e domosdoshme që po ndërmerren në vend si ajo zgjedhore apo parlamentare, apo edhe çështja e heqjes së imunitetit mbeten faktorë të rëndësishëm, jo vetëm për ecurinë pozitive të zhvillimeve, por dhe për nxitjen e proceseve integruese evropiane të Shqipërisë”.
 

Në këtë kuadër, duke nënvizuar faktin se Suedia është ndër përkrahëset më të forta të politikës së zgjerimit të BE-së vlerësoi ndihmesën e vazhdueshme që i ka dhënë vendit tonë në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Gjithashtu duke diskutuar për procesin e saponisur zyrtarisht të zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit, Presidenti Topi dhe Drejtori Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Bjërn Lyrval nënvizuan rëndësinë e këtij procesi për balancimin e marrëdhënieve institucionale dhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese, duke theksuar se ky duhet të jetë një proces gjithpërfshirës, i hapur dhe transparent dhe t`u shërbejë interesave madhore të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Nga ana e tij, Drejtori Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Suedisë, Bjërn Lyrval, pasi i cilësoi si shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve tona, shprehu mbështetjen e palëkundur të vendit të tij në drejtim të realizimit të aspiratës integruese të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane, me bindjen se vendi ynë dhe institucionet e tij do të arrijnë të kryejnë në kohë reformat e ndërmarra dhe të përmbushin standardet e kërkuara.

Duke diskutuar për situatën në rajon, zoti Lyrval vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar si dhe kontributin personal të Presidentit Topi në drejtim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë rajonale me synim integrimin e ardhshëm dhe sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›