Berisha pret në një takim kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim miqësor kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, njëkohësisht edhe zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Duke i uruar mirëseardhjen, kryeministri Berisha i përcolli zyrtarit kosovar përshëndetjet e tij dhe të qeverisë shqiptare, si dhe i shprehu vlerësim për kontributin e Partisë Liberale vetë zotit Dedaj dhe familjes së tij për çështjen kosovare. Duke e përshëndetur dhe përgëzuar njëkohësisht për zhvillimet në Kosovë, kryeministri Berisha i shprehu mikut kosovar mbështetjen e tij dhe të qeverisë ndaj progresit që po bën Kosova. “Shqipëria dhe shqiptarët tashmë kanë arritur në një stad pjekurie politike dhe maturie demokratike që i lejojnë të ecin përpara me sukses duke respektuar shtetin ligjor e Kushtetutën, njëkohësisht të drejtat e liritë e qytetarëve dhe të opozitës në veçanti”, - u shpreh kryeministri. “Fillimisht ju falënderoj për pritjen dhe do të doja t’ju përcillja mbështetjen dhe përgëzimet tona për angazhimin e madh, përkushtimin dhe punën dinjitoze në progresin, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe tërë rajonit”, - u shpreh Dedaj, duke shtuar se “ne, si parti e vogël, duke qenë pjesë e mozaikut të politikës kosovare, e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Shqipërisë dhe tuajin personalisht në realizimin e pavarësisë, në zhvillimin harmonik të shoqërisë dhe shtetit të ri kosovar, si dhe kontributin në prosperitetin dhe progresin perëndimor të Shqipërisë”.
26 Maj 2010