E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri kushtet që Shqipëria dhe Bosnja duhet të plotësojnë për heqjen e vizave

Kolegji i Komisionerëve miraton sot rekomandimin për të dyja vendet

Eneida Jaçaj

Shqipërisë dhe Bosnjës, për të arritur liberalizimin e vizave, do t’u duhet të përballen me përmbushjen e tri kushteve kryesore për secilën. Mësohet se Kolegji i Komisionerëve pritet të miratojë sot në mbledhjen e radhës rekomandimin për liberalizimin e vizave për këto dy vende. Sipas burimeve, rekomandimi i Komisionit pritet të jetë pozitiv, por i kushtëzuar nga përmbushja e kritereve të mbetura.
Kabineti i komisioneres Sesilia Mallmstrom, pas mbledhjes së Komisionit pritet të japë formulimin përfundimtar sot ose nesër. Shqipëria dhe Bosnja nuk pritet t'i shpëtojnë rregullit të ndjekur për Serbinë dhe Malin e Zi një vit më parë, të cilat përfituan liberalizim të vizave vetëm pasi Brukseli vlerësoi se kushtet e mbetura ishin plotësuar.
Tri kushtet
Dy vendet që duan të përfitojnë nga heqja e vizave duhet të përmbushin secila prej tyre tri kriteret kryesore. Sipas rekomandimit të Kolegjit të Komisionerëve, Shqipëria duhet të zhvillojë një politikë dhe një strategji për të mbështetur riintegrimin e të riatdhesuarve shqiptarë. Gjithashtu, Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet e zbatuesve të ligjit dhe implementimin efikas të kuadrit ligjor për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku përfshihet dhe përcaktimi i burimeve të duhura njerëzore dhe financiare, si dhe zbatimi efikas i ligjit të ri, miratuar në 2009-n, në fushën e konfiskimit të aseteve kriminale. Përsa i përket Bosnjës, vendit tjetër që kërkon të përfitojë nga liberalizimi i vizave, duhet të forcojë kapacitetet dhe zbatimin efikas të kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, duhet të realizojë një zbatim efikas të planit të aksionit për shkëmbimin elektronik të të dhënave mes Prokurorisë dhe Policisë, si dhe të harmonizojë Kodin Penal të etniteteve dhe distriktit Brcko me atë në nivel shtetëror.
Miratimi
Pas miratimit sot nga Kolegji i Komisionerëve, rekomandimi do t'i kalojë për miratim Parlamentit Europian e më pas Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së për vendimin përfundimtar. Me hyrjen në fuqi të traktatit të Lisbonës, parlamentet nacionale të 27 vendeve anëtare kanë të drejtën të shprehen, duke ndryshuar ose jo, çdo iniciativë ligjore përpara votimit nga Parlamenti Europian, i cili parashikohet të ndodhë në mes të shtatorit. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit nga dy institucionet e tjera europiane do të shoqërohet me verifikimin në terren të kritereve të mbetura për Shqipërinë dhe Bosnjën nga ekspertët e BE-së për vizat. Shqiptarët do të kenë të drejtë të lëvizin pa viza në vendet “Shengen” 20 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare europiane të vendimit të 27 ministrave të Brendshëm.

Tri kushtet për Shqipërinë

Zhvillimi i një politike dhe strategjie për të mbështetur riintegrimin e të riatdhesuarve shqiptarë.

Forcim i kapaciteteve të zbatuesve të ligjit dhe implementimin efikas të kuadrit ligjor për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku përfshihet dhe përcaktimi i burimeve të duhura njerëzore dhe financiare.

Zbatim efikas i ligjit të ri, miratuar në 2009-n, në fushën e konfiskimit të aseteve kriminale.

Tri kushtet për Bosnjën

Forcimi i kapaciteteve dhe zbatimi efikas i kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit

Zbatim efikas i planit të aksionit për shkëmbimin elektronik të të dhënave mes Prokurorisë dhe Policisë.

Harmonizimi i Kodit Penal të etniteteve dhe distriktit Brcko me atë në nivel shtetëror.

26 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›