Gafë e rëndë, Berisha e njeh Shqipërinë ende si Republika Popullore Socialiste
Një gafë e rëndë në faqen zyrtare të qeverisë shqiptare. Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duket se nuk e njohin vendin si Republikë e Shqipërisë, emërtesë zyrtare që mban vendi ynë prej afro 20 vjetësh, por si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, term ky me të cilin njihej vendi ynë para viteve ‘90. Kjo gafë e rëndë dëshmohet qartazi në faqen zyrtare të qeverisë. Vendime për propozime ligjesh apo projektligje të miratuara nga Kuvendi dhe që mbajnë firmën e autoriteteve më të larta të vendit, Berishës dhe Topallit, e zyrtarizojnë Shqipërinë ende si Republikë Popullore Socialiste. Natyrisht që kjo gafë dëshmon qartazi mungesën e seriozitetit me të cilin punojnë dy prej drejtuesve të lartë të shtetit. Kjo gafë e rëndë dhe e paprecedent konsiston në vendimin e qeverisë për propozim të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Në këtë vendim shkruhet qartë se marrëveshja me këtë agjenci do ratifikohet jo nga emërtimi zyrtar Republika e Shqipërisë, por nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Vendimi mban datën 20 maj të këtij viti dhe mban firmën e kryeministrit Sali Berisha. E njëjta gafë është përsëritur dhe më tej, po në faqen zyrtare të qeverisë në internet.
Kur tashmë ligji është miratuar nga Kuvendi, mbi të ka hedhur firmën edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gafa është përsëritur jo vetëm në prezantimin bazë të ligjit, por dhe në nenin 1 të tij, ku ruhet e njëjta emërtesë, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Përmasat e këtij skandali bëhen më të mëdha po të gjykosh se si vendimi i qeverisë, edhe ligji i miratuar nga Kuvendi nuk janë për qarkullim të brendshëm në Shqipëri, por për gjithë botën, pasi është lidhur marrëveshje me një agjenci ndërkombëtare prestigjioze me të cilën Shqipëria kërkon të realizojë një nga ambiciet e saj, ndërtimin e centraleve nukleare.
26 Maj 2010